Banorët e Durrësit janë përfshirë në vizionin e qytetit të tyre, në vizionin e transformimit pozitiv, të pamohueshëm që ka ndodhur në këto vite, krahas projekteve lokale dhe atyre makro të realizuara nga qeveria. Kështu e përshkroi frymën e përgjithsme të fushatës elektorale, kandidatja e Partisë Sociliste për Durrësin, Valbona Sako, sipas së cilës, data 30 Qershor, është një mundësi që do të shfrytëzohet me shumë qytetari nga banorët e Durrësit.

“30 Qershori duhet të jetë një ditë feste sepse kemi mundësinë të zgjedhim. Të zgjedhësh do të thotë e drejtë themelore që duhet të ushtrohet në momentin e duhur. Data është dekretuar dhe tashmë jemi përballë një sfide qytetare dhe kam bindjen se qyteti i Durrësit do ta realizojë me qytetarinë që e karakterizon”, tha Sako.

Kandidatja pati edhe një mesazh për opozitën shqiptare dhe veprimet politike të kësaj të fundit:

“Nga pikëpamja politike, në këto ditë jemi përballur me veprime mesjetare. Unë kam qënë studente e dhjetorit, aspironim për një ndryshim thelbësor jo vetëm të qytetit tim, por gjithë Shqipërisë, e ndaj do ti bëja një apel të gjithëve që t’i thërrasin ndërgjegjies qytetare dhe të ofrojnë alternativa politike, rol të cilin ia ka dhënë elektorati i tyre”, tha kandidatja e majtë.