Juventusi është duke e rritur edhe më shumë interesimin për Paul Pogban, mirëpo ata janë të vetëdijshëm se do të kenë konkurrencë nga Real Madridi për mesfushorin e Manchester Unitedit. Sipas burimeve të Goal.com, drejtori sportiv i Juventusit, Fabio Paratici, u takua me drejtuesit e Manchester Unitedit për ta diskutuar mundësinë e transferimit të francezit gjatë afatit kalimtar të verës.

Juventusi tani e ka bërë gati një ofertë të re për mesfushorin 26-vjeçar, i cili u largua nga ta për t’iu bashkuar Manchester Unitedit në vitin 2016. “Bardhezinjtë” besohet se janë të gatshëm të paguajnë deri në 140 milionë euro për Pogban. Megjithatë, ata e pranojnë se Real Madridi do të jetë favorit për t’i siguruar shërbimet e Pogbas për sezonin e ardhshëm, pasi që futbollisti konsiderohet prioriteti i Zinedine Zidanit për këtë verë.

Gazeta ABC në Spanjë pretendon se Real Madridi është i gatshëm t’i ofrojë Manchester Unitedit 125 milionë euro për Pogban dhe t’i ofrojë futbollistit pagë të ngjashme me Eden Hazardit, vetëm pak më pak sesa kapiteni Sergio Ramos. Ndërkohë, Manchester Unitedi vazhdon të insistojë se Pogba nuk është për shitje, pasi që trajneri Ole Gunnar Solskjaer e konsideron atë lojtarin më të rëndësishëm në skuadrën e tij.

Kjo bën që “Djajtë e kuq” të jetë në një pozitë të mirë gjatë negociatave dhe drejtuesit e klubit anglez pritet të pranojnë ofertë për francezin vetëm në rast se Juventusi apo Real Madridi e ngritin ofertën e tyre edhe më shumë sesa 130 milionë euro.