Cristiano Ronaldo do të bëjë gjithçka që është e mundur për t’u siguruar që sezoni i tij i ardhshëm me Juventusin të jetë i paharrueshëm, pasi sezoni i tij i parë në Serie A, pas largimit nga Real Madridi, nuk i solli rezultatet e pritura.

Sulmuesi portugez e fitoi titullin e Serisë A në vitin 2018/19 dhe u emërua Lojtari më i Mirë i Vitit në këtë kampionat, pasi i shënoi 21 gola dhe i asistoi tetë të tjera për bashkëlojtarët e tij.

Ai nuk arriti ta frymëzojë skuadrën e tij drejt triumfit në Ligën e Kampionëve, pasi që Juventusi u eliminua nga Ajaxi në fazën çerekfinale. Mirëpo, het-triku i Ronaldos e kishte mposhtur Atletico Madridin në fazën paraprake, ndërsa Juventusi u eliminua nga Atalanta në Kupën e Italisë në po të njëjtën fazë.

Ronaldo, i cili është duke e shijuar një pushim në vendlindje, Madeira të Portugalisë, para se të kthehet në Juventus për turneun parasezonal, ia ka vendosur vetes qëllim për të fituar edhe më shumë tituj, pas triumfit në Ligën e Kombeve me Portugalinë.

“Jam krenar që jam këtu në Madeira për ta parë familjen time. Do të ndalem këtu për dy ditët e ardhshme”, u shpreh Ronaldo në një intervistë për O Jogo.

“Jam gjithmonë gati për një sezon të mrekullueshëm. Qëllimi është që gjithmonë ta jap maksimumin për ta fituar trofe”.