Jo vetëm OSBE, por edhe BE shprehet qartë kundër vendimit të presidentit Meta për të shfuqizuar 30 qershorin si datën e mbajtjes së zgjedhjeve në një zë: Kjo nuk duhet të ndodh, zgjedhjet duhet të jenë më 30 qershor.

Nuk zgjati as 5 orë entuziazmi i tifozëve të Metës pas një konference të shkurtër të martën, që e nisi si kreu i shtetit i shqetësuar për situatën në vend dhe përfundoi duke i treguar muskujt Amerikës, Lajçak dhe “ndërkombëtarëve ngatërrestarëve” Rreth orës 20:00, në listën e “zezë” të Metë u shtua edhe presidenti i Komisionit Europian, Juncker. Gjermani i Europës së bashkuar u shfaq komod me kryeministrin shqiptar, të cilin dikur thoshte hapur se nuk e simpatizonte, për të thënë atë që veshët e Metës, Bashës dhe mbështetësve të tyre, nuk duan të dëgjojnë. Se zgjedhjet duhet të mbahen në datën e përcaktuar.

Megjithëse iu shmang pyetjes direkte për dekretin, presidenti i KE e hodhi poshtë. Jo vetëm atë, por edhe argumentin kryesor të Metës sipas të cilit pak më herët, “zgjedhje si të 30 qershorit bllokojnë integrimin evropian të Shqipërisë”. Për Juncker ndërkohë pasqyra është e përmbysur: mosmbajtja e zgjedhjeve në 30 qershor, do të çonte në një krizë të vërtetë institucionale dhe politike Shqipërinë dhe do të vononte procesin e saj të integrimit evropian. Një referencë e qartë ndaj hapjes së negociatave që sipas Juncker duhet t’i jepen Shqipërisë do të ndodhë “në qershor, ose jo më vonë se në vjeshtë”. Jo për faj të Shqipërisë, por të ngritjes së parlamentit të ri evropian pas zgjedhjeve të Majit.

Zoti Juncker tha se “zgjedhjet lokale në Shqipëri duhet të mbahen në datën e përcaktuar. Njerëzit nuk mund të ndalohen. Këto zgjedhje duhet të mbahen nëse jo do të shtynin perspektivën Europiane të Shqipërisë”.

Juncker në fund të intervistës bëri një gjest që vuri dukshëm në siklet kryeministrin Rama, duke u zgjatur e puthur atë. Por Rama mund të skuqet, por më mirë një puthje sesa dru nga Junkcer apo jo? Për këtë, pyesni Ilir Metën.