Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit të Kosovës. Në fund të mbledhjes së Qeverisë ai ka bërë të ditur se ka dhënë dorëheqje të parevokueshme. Arsye e këtij vendimi ka thënë se ka marrë thirrje për t’u paraqitur për t’u marrë në pyetje nga Specialja si i dyshuar.

I prekur e me emocione Haradinaj ka folur para mediave duke dhënë edhe arsyet. Ai tha se nuk mund të intervistohet nga Specialisja si kreu i qeverisë dhe se e ka marrë këtë vendim për të ruajtur nderin e shtetit.

“Sapo e informova qeverinë dhe pastaj do informoj dhe institucionet e tjera dhe partnerët politikë. Kam dhënë dorëheqje të parevokueshme nga funksioni i kryetarit të qeverisë. Pra, nga ky moment jemi në dorëheqje si qeveri. Arsyeja është se jam ftuar që të intervistohem si i dyshuar nga dhomat e posaçme, pra Gjykata Speciale. Javën tjetër do të kem paraqitjen. Nuk mund të paraqitem si kryetar i qeverisë por si një qytetar, si Ramush Haradinaj për të ruajtur nderin e kryetarit të qeverisë dhe të shtetit kam vendosur që është e drejtë të jap dorëheqjen”, deklaroi Haradinaj para mediave.

Ai ka shtuar se taksa do të vazhdojë të mbetet.
“Pas kësaj dorëheqje mandatin ia kthej popullit, ju jemi të parët që iu informoj qeveria e vendit vazhdon të kryej funksionet e veta pa krijuar vakuum, do i informojë zyrtarisht gjitha institucionet relevante do i mbes gjithnjë besnik atdheut, ishte ndër të i shërbej vendit, dorëheqja është e parevokueshme”, ka thënë ai.

“Përgjegjësia tani kalon te presidenti për të filluar konsultat për të caktuar datën e zgjedhjeve. I ofrohem prapë popullit për të marrë besimin. Nuk jam i akuzuar, por intervistohem. Garoj në zgjedhje edhe unë edhe subjekti im. Por s’kam mundur ta qoj shtetin dhe kryetarin e qeverisë sepse do t’ia rëndoja Kosovës dhe e kam marrë këtë vendim”, ka thënë Haradinaj.

“S’e kam zgjedh këtë realitet. Nuk mendoj se e meriton t’ia bëj këtë Kosovës dhe nuk e bëj”, ka shtuar ai.

Konferencë për media pas mbledhjes së rregullt të Qeverisë së Kosovës (drejtpërdrejt)

Gepostet von Ramush Haradinaj am Freitag, 19. Juli 2019