Teksa duket sikur politika e ka humbur besimin brenda vetes për ti dhënë një zgjidhje krizës ku vetë e ka futur vendin, Dom Gjergj Meta ka besim se do të ketë një dritë shpresë në në fund të tunelit.

I ftuar në Ora News, Ipeshkëvi i Rëshenit shprehet se, shqiptarët janë të çuditshëm në tipologjinë e tyre dhe këtu nuk bëjnë përjashtim as politikanët.

“Ne shqiptarët kemi një histori shumë të çuditshme, ne jemi të gatshëm të bëjmë kompromise shumë të mëdha, jemi gati të falim gjak, të falim dhe vrasjen e një të afërmi për arsye të fesë, atdheut, të një bese të dhënë. Por ne jemi edhe po ato që zihemi për një gardh ose vritemi dhe për një gardh. Është tipologji shumë e çuditshme kjo e jona, e shqiptarëve. Nga kjo nuk janë të veçuar politikanët tanë. Ata mund të arrijnë që të bëjnë zgjidhje dhe të gjejnë zgjidhje në momentet më absurde që ekzistojnë por nganjëherë janë të aftë të mbyten në një pikë uji, në një gotë uji.

Unë kam shpresë sepse politika shqiptare, shoqëria shqiptare ka njerëz shumë të aftë, shumë inteligjentë, me shpirt të madh, ka njerëz të rinj energjik të cilët mund ta lënë mënjanë fjalorin e dhunshëm apo cinizmin dhe të ulen përreth një tryeze për të gjetur një zgjidhje dhe për tu dhënë një zgjidhje shqiptarëve për orientimin e tyre intra, brenda realitetit tonë, por edhe për orientimin tonë europian.Në të gjithë këto situata që mund të duken të pamundura dhe absurde unë mendoj se mund të gjendet dhe do të gjendet zgjidhja me dialog dhe kompromis, falë edhe partnerevë tanë ndërkombëtarë, faktorit të brendshëm por edhe falë kontributit që mund të japin edhe religjionet në këtë proces historik, në këto procese historike që po kalon vendi ynë”, është shprehur kleriku katolik.

Po vetë qytetarët shqiptarë a mund të japin një kontribut në këtë drejtim?

“Është shumë e çuditshme që shqiptarët kur janë në Itali, Gjermani, janë qytetarë shembullorë, respektojnë gjhithçka, paguajnë taksat, nuk merren me korrupsion. Këtu ndodh ndonjëherë e kundërta sidomos sa i përket indiferentizmit ndaj të mirës së përbashkët”, është përgjigjur Dom Gjergj Meta.