Policia e Durrësit njofton se autorët e ngjarjes janë dy vëllezërit Marius Aliu, që ka mbetur i plagosur nga shkëmbimi i zjarrit dhe Denis Aliu, që është në kërkim.

Sipas policisë, rreth orës 12:30 në lagjen nr. 2 Kavajë, pas një konflikti mes disa personave, ka mbetur i vrarë shtetasi Ramazan Hasalliu, (kalimtar i rastit) dhe kanë mbetur të plagosur 5 shtetas, të cilët po marrin mjekim në spitalin e Durrësit, jashtë rrezikut për jetën.

Shërbimet e Policisë me marrjen e njoftimit, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe falë veprimeve të shpejta kanë bërë të mundur identifikimin e autorëve dhe janë vënë në ndjekje të njërit prej tyre.

Për zbardhjen e plotë të ngjarjes u ngrit menjëherë një grup i posaçëm hetimor nën drejtimin e Prokurorit të Rrethit dhe nga veprimet paraprake dyshohet se autorët e ngjarjes janë dy vëllezër, Marius Aliu dhe Denis Aliu.

Marius Aliu, autori i dyshuar, mbahet në ruajtje nga shërbimet e Policisë në spitalin e Durrësit, pasi është i plagosur. Policia është vënë në ndjekje të autorit tjetër, Denis Aliu dhe vijon krehja e zonës për kapjen e tij. Policia ka bllokuar dy automjete që u përkasin pjesëtarëve të palëve që janë konfliktuar.

Janë shoqëruar në Komisariatin e Policisë Kavajë disa persona dhe vijon puna për shoqërimin e personave të tjerë. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes./