Nga Daniel Guçe, ekspert biznesi ka një mesazh të rëndësishëm për të gjithë ata që duan të investojnë në një biznes

Kur është fjala për fillimin e një biznesi të ri, ideja, studimi i tregut dhe financat janë kryesore për të marrë vendimin. Një ide e mire biznesi do të thotë shumë për një sipërmarrje të qëndrueshme.

Daniel Guçe, ekspert biznesi shprehet për Fino.al se, shumë sipërmarrës ndjekin pasionet e tyre për të filluar një biznes. Zhvillimi i tregut, rritja e konkurrueshmërisë, inovacioni dhe shumë faktorë të tjerë krijojnë mjedisin për zhvillimin e ideve të reja në sipërmarrje. Sipas tij, Shqipëria ka ende sektorë të pashfrytëzuar, por edhe mundësi financiare nga grante qeveritare apo donatorë ndërkombëtarë, për të mundësuar iniciativën e një ideje për sipërmarrje.

Më konkretisht ai jep ide për të gjithë ata që duan të investojnë në vitin 2019.

Guçe thotë se, “Duke u bazuar në publikime të ndryshme mbi idetë e fillimit të një biznesi në vitin 2019 nga revista prestigjoze ndërkombëtare, si dhe një studimi mbi performancën e biznesit të vogël dhe të mesëm për periudhën Janar – Shtator 2018 në një anketë me 28 pyetje që i drejtohej bizneseve shqiptare, personalisht konkludoj në 6 ide biznesi, të cilat mund të konsiderohen të suksesshme për vitin që vjen.”

6 idetë e biznesit sipas ekspertit të biznesit;

1. Menaxhimi i rrjeteve sociale
Rrjetet sociale përdoren gjerësisht nga kompanitë. Shumë kompani po orientohen te aktiviteti i tyre kryesor. Shumë prej tyre kanë deleguar sektorin e rekrutimit (burimeve njerëzore), financën apo shërbime të tjera administrative, përfshirë dhe marketingun. Menaxhimi me cilësi i rrjeteve sociale si; Linkedin, Facebook, etj. si një nga aspektet më të rëndësishme të marketingut, është një kërkesë në rritje e kompanive shqiptare, të cilat nuk kanë kohë ose njohuri për t’i menaxhuar ato.

2. Sistemi i Qirave
Sektori “Guest House” mikpritjes apo ofrimit të strukturave akomoduese me qira po rritet vazhdimisht. Nëse jetoni në një destinacion turistik ju mund të menaxhoni me lehtësi shtëpitë e pronarëve, të cilët nuk jetojnë në to ose i japin me qira. Në Tiranë dhe Korçë ka rezultuar shume i suksesshëm dhënia me qira e dhomave të shtëpive për turistët. Përdorimi i AIRBNB ka rezultuar shume i suksesshëm në këtë kategori, duke gjeneruar shumë të ardhura për përdoruesit. Sigurisht që sot ka dhe shumë platforma të tjera për të reklamuar shtëpitë me qira. Me pak financa mund të jetë një ide e mirë për fillimin e biznesit në 2019.

3. Udhërrëfyesi turistik
Turizmi sportiv sot është një nga trendet e rinisë shqiptare, por jo vetëm. Profesioni i udhërrëfyesit turistik apo fillimi i një biznesi të tillë është një ide e mirë “Start Up” për ata që jetojnë në një zonë turistike. Ju mund të mbështeteni në një sërë vendesh për të reklamuar shërbimet tuaja me kosto minimale në faqet si TripAdvisor ose Viator.

4. AmballazhimiNjë nga problemet e produkteve shqiptare sot, që i përket standardit dhe cilësisë, është amballazhimi i dobët. Kjo, sipas shumë ekspertëve vendas dhe të huaj, të cilët vlerësojnë apo ofrojnë konsulencën për certifikim. Prodhimi në sektorin e agropërpunimit apo bujqësisë po vjen çdo vit në rritje (ref. INSTAT) prandaj investimi në sipërmarre, të cilat kanë për natyrë amballazhimin, mund të ishte një investim i mençur për vitin 2019.

5. Kurset online
Për shkak të pamundësisë për të ndjekur kurse profesionale apo kurse të gjuhëve të huaja gjatë apo pas orarit zyrtar të punës, shumë individë do të preferonin t’i ndiqnin online. Njerëzit gjithmonë përpiqen të mësojnë dhe zgjerojnë aftësitë e tyre duke përdorur internetin. Pra, nëse jeni një ekspert në ndonjë fushë, ju mund ti ofroni shërbimet tuaja online pavarësisht se ku jetoni. Në këtë mënyrë, kjo mund të jetë një nga idetë më të mira për fillimin e biznesit.

6. Web Development & SEO
Zhvillimi i web-it dhe bota e SEO-it është aq specifike sa individë të zakonshëm apo kompani nuk do ta realizonin dot vetëm me burimet njerëzore që kane në dispozicion, prandaj ju mund t’i shisni shërbimet tuaja si një zhvillues SEO ose web.

Për sa më sipër, si përfundim do shtoja që: – Përqëndrimi i energjive të duhura me mënçuri dhe strategjinë e duhur, është formulë e sigurtë suksesi. Ngritja e një biznesi në kohët e sotme, në terrene ndoshta të paeksploruara , janë një garanci për të ardhura dhe punësim.