Kryeprokurorja Arta Marku ka prezantuar përpara Komisionit të Ligjeve raportin e Prokurorisë për vitin 2018.

Në komision, deputeti i PD-së, Lefter Maliqi e ka pyetur direkt kryeprokuroren Marku, për çështje konkrete, si ajo e vra*sjes së bankierit Artan Santo, se çfarë është bërë konkretisht me këtë dosje, dhe më pas, edhe deri ku janë hetimet për dosjet e famshme të përgjimeve për blerjen e votave, 339 dhe 184.

Pas Maliqit, ka ndërhyrë deputeti i PS-së, Spartak Braho, i cili ka sugjeruar se për çështje konkrete është në të drejtën e kryeprokurores të mos japë detaje për hetimet.

Kryeprokurorja Marku ka deklaruar se “Dosjet e pezulluara janë në ulje në krahasim nga një vit më parë”.

“Për vra*sjen e Santos, kjo është një çështje jashtë periudhës për të cilën po raportojmë dhe është një çështje konkrete, për të cilën unë nuk jap të dhëna konkrete”- tha ajo.

Lidhur me dosjet e përgjimeve, Marku deklaroi: “Përgjimet, vazhdojnë të jenë në hetim. E kam shprehur disa herë, që aty ka problematikë, dosjet janë zvarritur, ka pasur vetëm përgjime, që nuk janë zbardhur dhe nëse nuk bëhen janë të palexueshme. Dosja 339 po hetohet nga 2 prokurorë dhe 11 oficerë, aty ka video të patranskriptuara, por do ketë vendimmarrje. Dosja 184 në të njëjtën gjendje, e regjistruar 2 vjet vetëm përgjime. Pas dy vjetëve janë regjistruar emrat e disa personave në hetim, do të ketë vendimmarrje të shpejtë”- tha ajo.