Matteo Salvini, ministri i Brendshëm dhe lideri i ekstremit të djathtë të gadishullit artikuloi kritika të ashpra në lidhje me rezultatet e punës së kryebashkiakes së Romës, Virginia Raggi, pjesë e Lëvizjes 5 Yjet (L5Y, antisistem), aleati i tij në qeverisje.

Ministri dhe kryebashkiakja shkëmbejnë rregullisht akuza që nga periudha e vjeshtës dhe sërish tërhoqën vëmendjen e gazetarëve italianë të shtunën pas deklaratave të bëra në kuadër të garës me makina të Formula E në rrugët e kryeqytetit.

Në mbrëmje Salvini përmbylli ditën me një deklaratë të shkurtër me tone të ashpra: ‘’Roma nuk ka qenë kurrë më parë kaq e papastër, kaq e bllokuar, kaq e lënë pas dore, kaotike dhe e çorganizuar. Faji është i Salvinit apo një kryebashkiake të L5Y (për të cilën kërkova vetë t’a votoni) që nuk ka bërë asgjë në gjithë këto vite ? Ia lë në dorë romanëve ta gjykojnë, unë po punoj për t’i dhënë një të ardhme më të mirë këtij qyteti të mrekullueshëm.

Sulmi konfirmon edhe një herë tensionet brenda koalicionit Liga-L5Y, të cilët u paraqitën si kundërshtarë në zgjedhjet europiane të majit, ndërsa ngadalësimi ekonomik ul ndjeshëm fleksibilitetin e tyre në qeverisje.