Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka vendosur 1.75 milion lekë gjoba në disa subjekte që tregtonin produkte ushqimore pasi janë kapur jashtë standardeve të paracaktuara. Po ashtu gjatë kontrolleve në terren dy subjekte janë kapur me shkelje më të rëndë dhe për këtë arsye AKU ka vendosur që të pezullojë aktivitetin e tyre.

Ndërkohë AKU ka njoftuar se do të vijojë kontrollet rigoroze në të gjithë zinxhirin ushqimor në kuadër të mbarëvajtjes së sezonit turistik, me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e interesit dhe shëndetit të konsumatorëve. Kujtojmë se prej disa ditësh AKU është në aksion ku ka vendosur miliona lek gjoba dhe ka mbyllur disa subjekte që tregtonin produkte ushqimore jashtë standardeve.

Njoftimi i plotë i AKU:

Nga këto kontrolle zyrtare ka rezultuar se dy subjekte në Tiranë, një në Berat dhe një në Dibër nuk përmbushin kërkesat ligjore të sigurisë ushqimore, më konkretisht: Në subjektin “Astrit Murataj” me aktivitet “Market për produktet ushqimore”, Kamëz, Tiranë, u konstatua mungesa e licencës përkatëse, për këtë shkelje, AKU mori masën administrative “Gjobë” me vlerë 1,000,000 lekë.

Nga kontrolli i ushtruar në subjektin “Hazbi Dervishi” me aktivitet “Supermarket për produkte ushqimore”, Tiranë, u konstatuan problematika në etiketimin e produkteve ushqimore. Për shkeljen e evidentuar AKU i vendosi gjobë me vlerë 100,000 lekë.

Në subjektin “Isa Crroj” me aktivitet “Tregtim mishi”, Bulqizë, Dibër, AKU konstatoi se subjekti ishte i paregjistruar në QKB, si dhe në ambientin e tregtimit u evidentua papastërti në mure, tavane dhe dysheme e dëmtuar. Për shkeljet e konstatuara, AKU vendosi gjobë në vlerën 150.000 lekë si dhe bllokoi aktivitetin e këtij biznesi në mënyrë të menjëhershme, deri në plotësimin e kushteve ligjore.

Në subjektin “Fidaete Gjika” me aktivitet “Njësi tregtimi”, Poliçan, Berat, u konstatua se subjekti ushtronte veprimtarinë i paregjistruar në QKB, si dhe u evidentua tregtimi i produkteve të cilave u kishte kaluar afati i përdorimit (biskota, akullore, llokume, pije freskuese etj). Gjithashtu, gjatë kontrollit u konstatuan një sërë produktesh të paetiketuara, çka përbën shkelje ligjore (qumësht, sallam, sodë buke, piper, kanellë dhe limontos), si dhe subjekti nuk dispononte sistemin e gjurmueshmërisë për produktet ushqimore që tregtonte.

Për shkeljet e konstatuara, AKU mori masat e mëposhtme: “Gjobë” me vlerën totale 500,000 lekë si dhe vendosi bllokimin e aktivitetit në mënyrë të menjëhershme.

AKU bën të ditur se, po vijon punën e intensifikuar në të gjithë vendin, duke kontrolluar përmbushjen e kërkesave ligjore nga ana e operatorëve të biznesit ushqimor, për të garantuar në këtë mënyrë konsumatorët për sigurinë e produkteve që konsumojnë dhe mbarëvajtjen e sezonit turistik veror.​