Nga Fernada Cenko/ 

Ish kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi është treguar pesimist të arritjen e një konsensusi politik për ndryshimet dhe votimin e një Kodi Zgjedhor. Kjo lidhet edhe me kohën që ka mbetur në dispozicion për tu ulur edhe për ti dhënë një dorë përfundimtare ndryshimeve që kërkohen.

Për Celibashin votimi elektronik nuk është një garanci absolute për votën, madje ai më tej merr shembuj nga vende të tjera që këkrojnë të heqin votimin elektronik pasi interneti nuk është i sigurt. Sipas tij, edhe numërimi që ne kemi proceduar deri më sot është i sigurt në optikën e tij.

Z. Celibashi “Kuvendi” ka mbi tryezë draftin për Reformën Zgjedhore. Kjo pyetje nuk është shteruese për intervistën: A jemi përballë faktit që kjo reformë edhe nuk mund të bëhet?

Ka shumë mundësi që ndryshimet e propozuara të Kodit Zgjedhor, në kuadër të rëformës zgjedhore, të mos miratohen nga Kuvendi. Shumica e cilësuar e votave të deputetëve e kërkuar për të miratuar këto ndryshime në Kodin Zgjedhor duket se mungon. Shumica qeverisëse nuk i ka 84 vota. Zgjedhjet e fundit i dhanë PS një mandat të fortë qeverisës, por ky numër mandatesh është larg numërit 84 të tyre. Nga deklarimet e herëshme, por edhe së fundi të opozitës parlamentare, si zotëruese e pjesës tjetër të mandateve në Kuvend, ne kuptojmë qartë se ajo nuk do ta mbështesi me votë këtë projekt ndryshimesh të propozuara të Kodit Zgjedhor.

Rrethanat e zhvillimit të ngjarjeve politike dhe interesat për to, ndryshojnë. Kjo mundet të sjellë edhe ndryshim të qëndrimit të secilës prej palëve në këtë proces politik dhe ligjor. Por cdo ditë që kalon e bënë objektivisht më të vështirë finalizimin e reformës zgjedhore me votimin e saj në Kuvend.

Votimi dhe numërimi elektronik është thënë e stërthënë se do të përfshihet edhe nuk është bërë e mundur. Në këtë draft pritet të reflektohet, apo politikës nuk i intereson?

Opozita ka kërkuar fort që votimi dhe numërimi elektronik të jenë në themel të kësaj reforme zgjedhore. Jo pak herë është prezantuar edhe si kusht i saj për pjesmarrje në zgjedhje. Nuk mundet të thuhet se kërkesa për të përdorur formën elektronike të votimit dhe/ose të numërimit nuk është e përligjur për disa argumente. Por përligjia e kësaj kërkese me argumentin se vetëm në këtë mënyrë do të ketë zgjedhje të ndershme, nuk qëndron.

Askund, në njohjen time të rasteve, teknologjia në procesin zgjedhor nuk është përdorur si mjet i cili do të evitojë probleme të procesit zgjedhor që lidhen me ndershmërin e procesit. Të paktën jo direkt për këtë shkak/arsye.

Votim dhe numërim elektronik sa i sigurt është në vendin tonë?

Duket si lojë fjalësh, por është po aq i besueshëm sa besim ne kemi tek forma të tjera të votimit dhe të numërimit. Këtë thashë pak a shumë edhe në përgjigjen më lartë. Gjithësesi do të vlente që elektronika të përdorej për të lehtësuar teknikisht disa aspekte të procesit të procesit zgjedhor. Por nga ana tjetër duhet të mbajmë në vëmendje që shtete me standarte të larta të demokracisë, janë duke u tërhequr nga përdorimi i teknologjisë në procesin e votimit dhe të numërimit. Veçanërisht nga votimi elektronik. Sidmos kur ky proces kryhet nëpërmjet internetit. Ka rezultuar se ky proces jo gjithmonë ofron siguri të plotë në mirëfunksionimin e tij.

Ndaj është me shumë rëndësi ndërtimi i një protokolli të qartë e absolutisht të sigurtë votimit elektronik. Dhe që kjo të jetë e mundur duhet një punë e madhe përgatitore e cila kjo kërkon shumë kohë. 4 muaj përpara datës së zgjedhjeve kjo është thuajse e pamundur në vlerësimin tim.

Kemi edhe pikën e votës se emigrantëve, sigurisht që implementimi nuk mund të jetë aq i lehtë, por pyetja që mund të mundojë emigrantët është a do lexohet kjo vota, sa mundesi ka të lexohet edhe sa jo?

Për zgjedhjet vendore të qershorit të këtij vitit nuk ka asnjë mundësi kohore që të ndërtohet një infrastrukturë e besueshme e cila do të mundësonte votimin e emigrantëve në vendet ku ata janë emigrantë. Ndaj nuk vlen të zgjatemi më shumë mbi këtë cështje.

Pikërisht kujt nuk i intereson më shumë, cilës palë në këtë moment këto dy pika, apo asnjërës?

Sot nuk mundet të themi dhe nuk vlen të themi se kush ka interes dhe kush jo. i rëndësishëm për tu konsideruar mbetet fakti se koha e mbetur deri në datën e zgjedhjeve nuk e mundëson realizimin e çdo ndryshimi të dëshiruar të Kodit Zgjedhor.

Marrim rastin nëse në zgjedhjet e qershorit futemi me Kodin e vjetër. Sa garanci jep ky Kod, përsakohë në të nuk janë reflektuar rekomandimet e OSBE-ODHIR?

Ky Kod ka pëlqyshmërinë e thuajse të gjitha partive politike parlamentare. Veçanërishht të PS dhe të PD. Problemet e evidentuara në zgjedhjet e kaluara edhe nga Misioni Ndërkombëtar i Vëzhgimit të Zgjedhjeve, mësë shumti lidhen me vullnetin për ta zbatuar drejt dhe ndërshëm ligjin zgjedhor. ODIHR ka rekomanduar edhe ndryshime në Kodin Zgjedhor. Por nëse për të gjitha forcat politike vullneti për zgjedhje të lira, të drejta dhe të ndershme është i plotë, atëhere kjo mundet të jetë një mënyrë efikase e adresimit të problemeve në zgjedhje edhe pse nuk mundet të bëhen ndryshime në Kodin Zgjedhor.

Prej kohësh diskutohen listat e hapura dhe të mbyllura, më së shumti partive të vogla. A do kemi një ditë materializimin e sistemit të listave të hapura, apo kryetarët e partive do të jenë gjithmon “të fortët”?

Në çdo lloj sistemi zgjedhor kryetarët e partive janë “të fortë”. Kjo në opinionin tim. Të ashtuquajtura lista të hapura nuk janë një sistem votimi që prezanton më shumë anë pozitive se një sistem tjetër zgjedhor. Sistemi i votimit me lista të hapura, ku votuesi zgjedh partinë që do, por edhe kandidatine kësaj partie, duke sikur e bënë përfaqësues votën e qytetarit.

E nëse është kështu, pra nëse ne duam që qytetarin ta shohim të përfaqësuar më direkt në parlament, atëhere është më mirë të përdorim të ashtuquajturin sistem mazhoritar, votimin direkt për njërin nga kandidatët që konkurojnë në një zonë zgjedhore të caktuar. Përdorimi i një sistemi zgjedhor është gjithmonë një çështje tërësisht interesash politike. Por nga ana tjetër jo në pak raste përzgjedhja e tyre ka penalizuar atë që ka imponuar përzgjedhjen e rastit.

Edhe për këtë shkak është e rëndësishme që përzgjedhja e një sistemi të bazohet në ndershmëri politike.

(TemA Javore)