“Research Gate” është faqja më autoritare, në të cilën publikohen studimet shkencore nga e gjithë bota.

Në të, figurojnë shtatë publikime shkencore të rektorit të Universitetit të Tiranës, Mynyr Konit.

Që në fillim, bie në sy fakti që në çdo publikim, rektori Koni ka përdorur të njëjtin staf pune.

Diçka e tillë nuk është e pazakontë, me studiues që publikojnë vazhdimisht me të njëjtët bashkëpunëtorë, por në rastin e Konit, bashkëpunëtorët e tij të vetëm janë Arben Boshnjaku, një kandidat për PHD në Universitetin e Gjakovës dhe Ermira Krasniqi, e cila nga Fakulteti i Prishtinës sot është një seminariste në Universitetin e Vienës.

Megjithatë, gjëja më e pazakontë janë revistat ku janë publikuar studimet e tyre. Në të gjitha rastet, bëhet fjalë për revista fantazmë, me faktor impakti midis 0-1, në një shkallë nga 0-50, ku 50 është më e larta dhe 0 më e ulta.

Kështu, një studim i publikuar në shtator të vitit 2018, “lidhja midis N02Be, C07A dhe C09A, në shëndetin musculoskeletal midis meshkujve dhe femrave të grupmoshës 40-65 vjeç në vendet në zhvillim” është publikuar në revistën italiane “MinervaMedica.it”.
https://www.minervamedica.it/en/journals/gazzetta-medica-italiana/article.php?cod=R22Y2018N09A0430

Revista ka një faktor impakti prej vetëm 1,2 dhe në një vëzhgim të thjeshtë të strukturës së saj, rezulton se kushdo është në gjendje të publikojë në këtë revistë, kundrejt një pagese të thjeshtë.

Me shqetesuesja eshte se pavaresisht kesaj, “Minerva Medica” mbetet revista me prestigjioze ku grupi i Konit ka arritur te publikoje.

Një tjetër publikim, i fundit për nga data e publikimit, shtator 2018, me titull Pattern and Factors Associated with Medicine Usage in Middle-aged Adults: a Population Based Cross-Sectional Study, është publikuar në revistën shkencore “Folia Medica”, e Universitetit të Plovdivit, e cila ka një faktor impakti prej vetëm 0,86, një rritje nga 0,11 e vetëm disa vite më parë.

E thënë ndryshe, një revistë e tillë nuk ka asnjë standart të mirëfilltë, për t’u konsideruar qoftë edhe si pjesërisht autoritare në botën e shkencës dhe ashtu si në rastin e “Minerva Medica”, është e hapur për publikim nga kushdo. Praktikisht, kemi të bejme me nje paçavure shkencore.
https://content.sciendo.com/view/journals/folmed/60/3/article-p425.xml

E njëjta revistë bullgare është përdorur edhe në rastin e një publikimi të tretë.

Një studim për shëndetin muskuloskletor të grupmoshës 40-65 vjeç në Kosovës është publikuar nga i njëjti grup në revistën e shkencave mjekësore të Bosnje Hercegovinës, një tjetër revistë fantazmë. https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pmc/articles/PMC5136431/

Edhe studimi i pestë, SIDE TO SIDE DIFFERENCES BETËEEN DOMINANT AND NON-DOMINANT ARM’S BONE DENSITY AND ISOMETRIC HANDGRIP STRENGTH IN MALES AND FEMALES AGED 40-65 YEARS OLD, është publikuar në të njëjtën revistë boshnjake fantazmë.

I gjashti, për nga radha në “Research Gate” që figuron si studim shkencor, është në fakt si një punim për pjesëmarrje në një konferencë.

Ndërsa i shtati, i fundit studim i përbashkët i këtij grupi, është publikuar në revistën shkencore të Universitetit të Tetovës, që përveçse gjithashtu një revistë fantazmë, është edhe revista e një universiteti ku rektori Koni ka punuar për disa vite me radhë.

Në prag të fillimit të vetingut të pedagogëve, për rishikimin e titujve akademikë, publikimi në revista fantazmë, të cilat më pas shërbejnë për të fituar këto tituj mbetet një problem kronik, që ka prekur jo vetëm pedagogë apo lektorë të zakonshëm, por edhe drejtuesit e universiteteve tona.

Mbetet për t’u kuptuar ende se si rektori i një universiteti, mund t’i lejojë vetes të ridikulizohet në botën e shkencës, duke pranuar që të publikojë artikuj në revista qesharake, që kanë shndërruar çështjen e publikimeve në një biznes fitimprurës për ta, duke publikuar çdo artikull të mundshëm në këmbim të pagesave./Lexo.al