Deputetja e Partisë Demokratike, në një intervistë për emisionin “Kjo Javë” në News 24 ka folur për zgjedhjet në PD dhe për sfidat që e presin opozitën në muajt para zgjedhjeve.

Duma ka folur dhe për raportin e saj me Bashën, duke treguar dhe një bisedë që është zhvilluar mes tyre.

“Pa diskutim që mbështes çdo aksion politik të PD, vijoj të mendojë që formula duhet të jetë fituese, çdo formulë që ka zgjedhur Basha duhet të jetë fituese. Unë kam qenë në media dhe kam mbajtur qëndrimet e mia”, u shpreh ndër të tjera Duma.

Pse nuk morët pjesë e Kryesisë?

Në mbledhjen e parë kam qenë, tek mbledhja e dytë nuk isha për shkak angazhimeve.

Për çfarë duhet të qartësojë PD demokratët?

Sot jemi para një misioni misionar i PD, pasi jemi para një protestë. PD duhet të jetë në më të mirën dhe më të qartën e saj. Demokratët janë në sakrificë, pasi janë ata që mbajnë PD.

Ata janë duke luftuar kundër presionit dhe mungesës së sigurisë. Unë them se askush nuk ka asnjë forcë që të tallet me qytetarët. Duhet të jemi të qartë në atë që bëjmë, që nuk do ketë bashkëqeverisje me Ramën dhe se në pushtet do vijmë nga zgjedhje të drejta.

Duhet të nxjerrim kandidatët shpejt, se demokratët duhet ë njohin figurat që do i përfaqësojnë. Demokratët nuk presin më, duan qartësinë absolute. Unë kam bërë bisedë me Bashën dhe i kam thënë se nuk kemi luks që të eksperimentojmë më. Rama është i rënë, por problemi është ndërtimi i një alternative.

Si ka reaguar Basha për ato që i ke thënë?

Njësoj siç më dëgjon mua, dëgjon dhe të tjerët.

A është Kryesia e re e gatshme që të fitojë zgjedhjet?

Qartësia e parë është që kanë përgjegjësinë për arritjen e suksesit. Nuk e paragjykoj dot sot, pasi janë njerëz që kanë qenë drejtues në dikastere.

Dolën nga një numërim transparent?

Unë nuk shikoj këtë çështje, unë shikoj se mekanizmit për të qenë fitues, ku është gara. Pa dhënë garën dhe kushtet e garës, nuk mund të shohim dot se kush fiton. Gjithçka tjetër i takon kryetarit të PD.

A ishte transparente?

Unë nuk kam qëndruar aty.

Cilat janë kritikat tuaja për kreun e PD?

Të gjitha bisedimet që unë i quaj konstruktive, janë diskutime që janë të brendshme. Unë këtë parim e kam që prej kohësh. E vetmja gjë që them unë, është se eksperienca nuk duhet të përsëritet në të keqen e vet.