Vendimi drastik i djegies së mandateve nga opozita do të shërbejë si një precedent në politikën shqiptare.

Ligji për zëvendësimin e një deputeti ishte zbatuar në raste sporadike lënie mandatesh, por kursesi njëherësh në një numër të tillë deputetësh.

Media, njerëzit madje dhe vetë politika po presim herë pas here të dalin emra nga listat e kandidatëve të PD dhe LSI që plotësojnë formularin e dekriminalizimit dhe për rrjedhojë marrin mandatin e deputetit për të plotësuar vendet në Kuvend.

E në një mjedis të tillë, në një situatë të tensionuar politike shumë prej nesh rreken të zbulojnë arsyen pse kanë marrë këtë vendim, duke u munduar të krijojmë një profil me informacione nga rrjetet e tyre sociale, apo fjalë të dala aty-këtu në ëeb.

Tirananeës.al kontaktoi me znj. Elda Hoti, një ndër emrat e parë në listën e kandidatëve të LSI-së, që tashmë janë pjesë e Parlamentit.

Në këtë rrëfim Hoti flet për marrëdhëniet e saj me politikën dhe politikanët, kontributin në shoqëri si një juriste, objektivat e saj si deputete e Kuvendit, por dhe për familjen e mrekullueshme që ka krijuar.

Është në pritje të lindjes së djalit, dhe kryefjala e gjithë veprimeve të saj është “të qënit nënë…”, duke pasur gjithmonë në mendje Shqipërinë që do i lëmë brezit të ri.

Situata e trazuar politike solli vëmendjen tek emrat e listave të kandidatëve që morrën mandatin pas vendimit drastik të opozitës, ku mes tyre ishte dhe emri Elda Hoti. Lajme të ndërtuara mbi copëza fjalësh e fotosh të mbledhura aty- këtu. Por përtej këtij lajmi përditshmërie, kush është Elda?

Unë jam lindur e rritur në qytetin e Milotit! Profesioni im është juriste, jam diplomuar për Drejtësi në Universitetin e Tiranës në 2015!

Si çdo vajzë që përfundon studimet, mendon të vazhdojë karrierën në profesionin e saj. Unë zgjodha të krijoja familje dhe ta vija të parën në rrugëtimin e jetës time.

Ne 2016 u bëra nënë dhe vajza u bë kuptimi dhe arsyeja e gjithë jetës time. Iu dedikova vajzës dhe prioritet për mua ishte Ama!

Kur Ama ishte 13 muajshe, vendosa të angazhohem dhe të marrë pjesë në politikë, në zgjedhjet e 2017, si kandidate për deputete e LSI, e dyta për qarkun e Lezhës.

Nuk kisha dhe nuk kam eksperiencë në politikë, por më lejoni t’ju them se që Shqipëria dhe konkretisht qarku që unë përfaqësoj sot, ka patur mjaft deputetë që kanë pasur eksperiencë në politikë dhe i vetmi kontribut i tyre ka qenë si të kontribuojnë në pasurimim e familjeve dhe të afërmve të tyre, asnjë investim për qytetin dhe zero kontribute për qytetarët! E pohoj me dhimbje këtë….

Angazhimi në profesioni tuaj si juriste?

Aktualisht, jam asistent avokate dhe pres të diplomohem këtë vit. Për të gjithë portalet që u bë lajm që unë nuk kam punuar asnjë ditë të jetës time dhe bëhem deputete, ju them të lexojnë nenin 45 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Në pikën 1 të saj thuhet “Çdo shtetas që ka mbushur tetëmbëdhjetë vjeç, qoftë edhe ditën e zgjedhjeve, ka të drejtën të zgjedhë dhe të zgjidhet”. Jam vetëm 26 vjeçe, nënë e dy fëmijëve dhe kam investuar në formimin tim për t’u arsimuar dhe për të arritur suksese në jetë. Tani mu dha mundësia të punoj dhe punën time ta përkthej në vepra. Duhet të gëzojmë për arritjet e tjetrit dhe jo të jemi gjithmone kritik. Unë i përgëzoj ato deputete të reja, që janë nëna dhe kanë marre përsipër një detyrë kaq të rëndësishme, për të kontribuar dhe për të dhënë gjithë dashurinë që ka një nënë, për të bërë më të mirën për vendin në të cilin kemi vendosur të rrisim fëmijët tanë.

E në fakt, Elda nuk është përfshirë në politikë në momentin që mori mandatin si deputete, pasi jeni angazhuar me forumin rinor të LSI-së në Lezhë qysh herët. Cili është mendimi juaj për mundësinë e të rinjve në mjedisin politikbërës shqiptar, sa hapësira ka rinia për të shprehur mendimin e vet në politikë?

Fillimisht jam angazhuar në politike si shumë të rinj ( besoj) kur isha studente! Jam përfshirë në strukturat studentore të LRI në Tiranë, pranë Fakultetit të Drejtësisë.

Unë mendoj që Shqipërisë i duhet jo vetëm një strategji e re politike, por dhe njerëz që janë gati të përqafojnë një mendësi të re, të cilët mund të përmirësojnë gjendjen aktuale dhe të ndërmarrin hapa për zgjidhje afatgjata!

Mendoj se jemi lodhur të gjithë nga politikanë, që bëjnë vetëm shoë në Parlament apo dhe jashtë duke shfaqur një gjuhë arrogante, fyese dhe të papërshtatshme! Populli thotë se fjalët janë fukarallëk, e deri më sot kemi dëgjuar më shumë fjalë, se sa kemi parë vepra të mira në Shqipëri.

Sa u përket hapësirave që kanë të rinjtë sot në politikë, mendoj se kjo varet nga idealet që ka çdo i ri, ambiciet dhe motivet që e shtyjnë të futet e të angazhohet në politikë.

Misioni im është të jap më të mirën nga vetja për vendin tim. Kur e do diçka me shpirt, ia arrin. Sigurisht që mendimi ndryshe lejohet.

Unë jam mësuar gjithmonë të shpreh mendimin tim dhe të luftoj për të ndryshuar atë që s’më dukej e drejtë apo e përshtatshme! Nuk jam rritur e ndrydhur nga prindërit e mi, as nuk jam rritur me idenë që dikush mund të më imponojë dhe të më bëjë të them gjëra që nuk janë në karakterin tim. E tillë do jem edhe në politikë.

Përgjithësisht në Shqipëri koncepti për deputetin është larg asaj çka nënkupton vetë fjala, “përfaqësues”. Shpesh mendohet si një “karton” partiak, ndonjëherë si një post përfitues, duke nisur që nga paga, dietat etj., por edhe ndikimet politike. Çfarë do të thotë për Eldën të qënit deputet i Kuvendit të Shqipërisë?

E kam cilësuar dhe gjatë fushatës në 2017, unë jam futur në politike për të lënë emër të mirë në qytetin tim. Të jem e përgjegjshme, të punoj me zemër dhe të jem e përulur ndaj bashkëqytetarëve të mi. Një ndër arsyet pse unë pranova që të jem pjesë e politikës, është sepse kam vullnetin e plotë që këtë mandat ta përdor dhe të sjell një frymë ndryshe. Dëshiroj të kontribuoj për vendin tim që dhe fëmijët e mi me shokët e tyre, të rriten e të luajnë me të njëjtat standarde si moshatarët e tyre në vendet e Bashkimit Europian!

Kur vihesh përballë një zgjedhje të vështirë në jetë, sigurisht që nuk është e lehtë të vendosesh. Në vendimin tuaj mund të ketë njerëz, miq, të afërm që mund t’ju kenë thënë “Elda, lëre më mirë politikën, shijo shtatzëninë të jesh e qetë”, apo “Elda, vazhdo rrugën tënde”. Sa mbështetës kanë qenë familjarët dhe miqtë tuaj në këtë vendim?

Kam patur dhe unë momente zhgënjimi dhe kam menduar që nuk duhej të merresha më me politikë dhe t’i përkushtohesha profesionit tim. Ishte bashkëshorti, familjarët, miqtë e mi ata që më nxitën që unë të mos hiqja dorë dhe të vazhdoja të isha e angazhuar sërish. I jam mirënjohëse të gjithëve atyre që me kanë mbështetur, uruar dhe që besojnë në atë çfarë unë përfaqësoj dhe dua të arrij në politikë. Është e vështirë, por kur ke përkrahje të madhe, të përkthehet në forcë dhe ia del t’i bësh ballë çdo sfide.

Pyetja e fundit përsa i përket politikës, pasi sigurisht keni kontributin tuaj në Lëvizjen Socialiste për Integrim. Dikur jeni shprehur në Facebook: “Thjeshtësia që e karakterizon Monika Kryemadhin, është për t’u admiruar dhe marrë shembull nga të gjithë ne! Fjalët janë të tepërta, për këtë zonjë të nderuar! Faleminderit për mundësitë dhe besimin që na jepni ne të rinjve”. Nisur nga aktualiteti, a gjenden në këto fjalë lejimi i “mendimit ndryshe” në parti? Cilat janë raportet tuaja tani me kryetaren e LSI-së?

Me Monika Kryemadhin kam patur gjithmonë raporte shumë të mira. E kam vlerësuar për komunikimin e thjeshtë që ajo ka treguar me mua. Më ka dhënë këshilla si politikane dhe si nënë. Është femër e fortë dhe mua më pëlqejnë femrat e forta. Edhe pse marrëdhëniet e mia me të mund të jenë ndërprerë nga vendimi im, kjo nuk do të thotë që unë nuk vazhdoj të gëzoj respekt për të. Po nga ana tjetër, kjo nuk do të thotë që unë mund të varem nga Monika për vendimet e mia. Nëse vendos të jesh në politikë dhe të kesh jetëgjatësi, nuk duhet të varesh nga kryetari i partisë. Ndryshe ti do bësh gjithmonë si të thonë ato. Kjo është e keqja më e madhe që i është bërë Shqipërisë. Prandaj ne deputetët e rinj, por jo vetem ne, populli mbi të gjitha, dëshiron një sistem zgjedhor me lista të hapura. Ku çdo shtetas të ketë mundësi të votojë direkt për individin dhe jo për partinë. Me sistemin e sotëm, kandidatët e parë janë gjithmonë të sigurtë dhe kontributi i tyre është zero, pasi punon kandidati pas tij. Mandati është i popullit dhe në Parlament jam për të mbështetur dhe ngritur zërin dhe për të ofruar zgjidhje për të gjithë problemet e qarkut të Lezhës!

Jeni nënë e një vajze tre vjeçare, dhe përveç lajmeve politike, lajmi më i bukur për ju është pritja e ëmbël e djalit. Si po e kaloni këtë periudhë? Na tregoni pak për Ama, në pritje të vëllait.

Ama është gjëja më e bukur e jetës time. Nuk ka fjalë ta përshkruaj dashurinë për të. Ajo është burim frymëzimi në çdo gjë që unë bëj. Vajza është bekim për çdo prind. Ama është shumë e lumtur dhe që tani i këndon këngë dhe imagjinon si do sillet me vëllain. Ndonjëherë edhe xhelozon kur ne blejme rroba për vllain. Do mësojë dhe dashurinë si nënë e një djali. Do jetë një sfidë e re për ne, sidomos tani që kam një puëe kaq të rëndësishme dhe me përgjegjësi të madhe. Po fëmijët janë bekim dhe vijnë vetëm për të na zbukuruar jetën, kështu që jeta ime vetëm do bëhet akoma edhe më e bukur..

Si një nënë në karrierë, balancimi mes jetës familjare, asaj profesionale e politike është disi i vështirë. Kush është mbështetja juaj më e madhe?

Familja është forca ime më e madhe dhe më kanë mbështetur në çdo hap timin. Kam përkrahje nga prindërit, bashkëshorti, vëllezërit, familjarët dhe miqtë e mi! Pa përkrahjen dhe besimin e tyre une s’do isha këtu ku jam sot! Mamaja ime, me ka ndihmuar shumë me Amën. E kam patur mbështetje të madhe, se është e vështirë të jesh nënë e re dhe në politike. Tani kjo mbështetje do shumëfishohet pasi dhe pak do na vijë djali ( qesh).