Nga e hëna në shkollat dhe gjimnazet e vendit nuk do të ketë më përdorim të celularëve gjatë orëve të mësimit. Nisma është përshëndetur nga prindërit dhe shoqëria, ndërkohë që shumë pyesin cilat do të jenë masat në rast se ky urdhër shkelet. Gert Janaqi, Drejtor i Institutit të Zhvillimit të Arsimit, i ftuar në studion e lajmeve në Report Tv ka thënë se një nga masat që do të merret në rast shkeljeje të këtij urdhri është sekuestrimi, e në rast përsëritjeje do të bëhet konfiskim i përhershëm i celularëve.

“Nuk po llogaris parashkollorët, por 80% e prindërve janë pro vendimit. Më shumë muaji i parë është muaj negocimi dhe edukimi, sidomos për adoleshentët dhe prindërit që mund të merakosen për sigurinë.”-ka thënë Janaqi.

Intervista e plotë:

Ka prindër që ngrenë shqetësimin si do të komunikojnë me fëmijët?

Urdhëri është i qartë. Në procesin mësimor nuk do të përdoret celulari, por kjo nuk do të thotë se celulari s’mund të përdoret para nisjes së mësimit. Iu kemi dhënë liri shkollave, disa shkolla në Tiranë e zbatojnë këtë nismë. Në Petro Nini apo edhe në Korçë. Ka shkolla ku numri i nxënësve është i ulët dhe është më e thjeshtë. Pra, është shkolla që do të bëjë monitorimin.

Po mësuesit, si do të merren masa për ta?

Kur jepet dhe merret informacion, as për mësuesit s’duhet të përdorin celularë. Mësuesit kanë vite që e kërkojnë këtë nismë. Shkollat kanë departamente lëndore dhe mësuesë kujdestarë. Prindërit mund të flasin me stafin akademik, pasi është rutinë që ata të jenë në dispozicion. Ky nuk është shqetësim.

Vendimi është vetëm për celularët, ndërsa për tabletët nuk parashikohet ndalimi?

Unë besoj se ne kemi diskutuar për ndalimin e celularëve. Nuk besoj se kemi raste masive të marrjes së tabletave. Kemi ecur me një sintezë që urdhëri për celularët është logjikë analoge për të mos marrë mjetet e tjera të komunikimit. I gjithë qëllimi i tabelave është në funksion mësimor.

Në videon e fëmijëve janë denoncuar rastet e dhunës. A krijojnë mësuesit imunitet nga ndalimi i celularëve?

Shpërndarja e këtij informacioni ka qenë e nevojshme. Videot kanë qenë masë ekstra, por nuk janë alternativa e vetme. Dhuna mund të ndodhë në ambiente masive, fëmijët denoncojnë, MAS ka portal të dedikuar për këtë gjë. Ka një portal të bashkëqeverisjes ku t’i mund të denoncosh. Psikologët janë të hapur për të ndihmuar.

Franca e kishte si debat në vitin 2001, ndërsa Macron e riktheu këtë debat, por Kanada dhe Britani e kanë marrë këtë vendim. E keni parë impaktin tek këto vende?

Po, mospërdorimi i teknologjisë sjell rezultate pozitive në arsimim. Pjesa më e madhe e prindërve përkrahin këtë nismë. Ndalimi i celularëve rrit efektivitetin e fëmijëve. Shkolla franceze dhe irlandeze kryesisht e kanë lenë në dorë të shkollës menaxhimin. Ne presim rritjen e numrit të inspektorëve. Do bëjmë ndryshime në nivel bashkish dhe drejtorish arsimore. Përgjegjës janë drejtorët e shkollave. Ku ka më shumë nxënës, masat do të jenë të forta. Është punuar intesivisht edhe për sensibilizimin e nxënësve. Ne kemi patur një rezultat të mirë në konkurset ndërkombëtare. Shqiptarët kanë dëshirë të mësojnë. Kjo na jep besimin se dialogu me prindërit do të jetë më i lehtë.

Masat që do të merren në rast shkeljeje?

Masat do të arrijnë deri në konfiskim. Do të ketë procesverbale nga mësuesit kujdestarë. Do të thërriten prindërit, prindëri do të firmosë. Fillimisht celulari do të sekuestrohet 24 orë e më pas në rast përsëritjeje do të sekuestrohet totalisht. Ne hartojmë modele, shkolla thotë fjalën e fundit. Mënyra si rregullohet është në varësi të çdo shkolle.

Cila është kurrikula e re për të zhvilluar orët e mësimit?

Jemi në vitin e pestë të arsimit parauniversitar. Kurrikula do të ndryshojë sërish. Kemi marrë vlerësim nga UNESCO dhe KE për lëvizjet që po bëjmë. Jemi në masën 98% të ndryshimit të kurrikulës së re. Do përmbyllim një ndërhyrje onblock në arsimin parauniversitar. Kemi marrë rekomandimet finale për të përmirësuar kurrikulën.