Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, në një intervistë për ERTV është shprehur se janë unifikuar të gjitha protokollet e shërbimit shëndetësor në të gjitha qendrat shëndetësore, ku nuk mungojnë barnat dhe pajisjet e nevojshme.

“Në të 28 qendrat shëndetësore verore kemi unifikuar të gjitha protokollet e shërbimit dhe kur unifikohen protokollet patjetër që edhe standartet janë të njëjta. Nuk mungojnë paketa e barnave me 52 lloje medikamentesh kur përfshihen edhe medikamentet siç janë anti vipera apo anti tetanikët të cilët janë shumë të rëndësishëm në këtë sezon pushimesh” – shpreh Manastirliu

Manastirliu gjatë fjalës së saj i është përgjigjur pyetjes së gazetarit në lidhje me planin e masave që ministria ka ndërmarrë gjatë sezonit turistik për të ofruar siguri për turistët dhe pushuesit.

“Angazhimi i qeverisë shqiptare, i ministrive dhe i institucioneve, i vetë kryeministrit, në gjithë këto vite ka qenë një fokus i shtuar tek turizmi. Ne kemi punuar të drejtuar nga një task-force. Task-Forca është duke punuar me të gjitha institucionet, inspektoriatet për të garantuar kushtet higjieno-sanitare. Një plan masash i mirëfilltë është realizuar dhe tashmë po zbatohet” – tha ministrja

Nga 1 qershori të gjitha subjektet akomoduese, baret, restorantet, gjithashtu edhe ujërat e pishinave janë vlerësuar dhe vlerësohen në mënyrë periodike. Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor ka bërë rreth 2500 inspektime që janë kryer në njësitë e shërbimit duke marrë masat administrative dhe duke rekomanduar për përmirësimin e shërbimeve shërbimet.