“Unë dua t’i jap një fytyrë tjetër mënyrës së administrimit të bashkisë, duke filluar që nga komunikimi me qytetarët. Pas 30 Qershorit do të jetë një bashki shërbimesh, ku qytetari do të jetë i pari”.

Kështu deklaroi në një intervistë për ERTV, kandidatja socialiste për Bashkinë e Përmetit, Alma Hoxha, sipas së cilës, bashkia e drejtuar nga demokratët ka shërbyer vetëm për qoka elektorale, ku vendet e punës janë shitur për vota.

Hoxha premtoi se fytyra e bashkisë Përmet do të jetë bashki shërbimesh për qytetarët, për çdo sektor zhvillimi.

“Në Përmet është bërë shumë sa i takon infrastrukturës së qytetit, është bërë investim i madh i ujësjellësit të qytetit dhe në kulturë e trashëgimi nga qeveria. Por ajo që më dhemb më shumë është se infrastruktura rurale, që lë për të dëshiruar. Rrugë të munguara, kanalizimet, vaditja, uji i pijshëm mungojnë. Investimet që janë bërë nga pushteti vendor kanë qënë të pjesshme. Punët aty dua t’i bëj me projekte të plota. Lagjiet e qytetit të Përmetit janë thuajse të harruara, ka mungesë gjelbërimi dhe ndriçimi. Sfida ime është shtrirja e rilindjes urbane në rilindje rurale sepse kjo do të ndikojë në zhvillimin e turizmit”, tha Hoxha.

Ajo shtoi se do të jetë një mbështetje e madhe për biznesin, veçanërisht për gratë biznesmene, ato që kanë punishte të vogla, e që punësojnë gra të tjera me kohë sezonale.

Hoxha kandidon për kryebashkiake pas një karriere të gjatë në arsim dhe në qeverisjen vendore.