Intervista/ Flet sekretari organizativ dhe deputeti i PS-së: Ja strategjia e mazhorancës për zgjedhjet vendore

Nga Fernada Cenko

Arben Pëllumbi, deputeti i Partisë Socialiste ka komentuar situatën politike në vend.

Në një intervistë per TemA Javore ai tha se protestat nuk duhet të vinë nga forcat politike, por nga qytetarët, shoqëritë civile….

Sipas tij kandidaturat për bashkitë ende nuk kanë përfunduar por do të konfirmohen sipas punës së bërë deri tani. i pyetur për marrëdhënien me babain e tij, ai tha se: “Gjithmon më këshillon në punën time”.

Si e shikoni protestën e PD-së dhe djegien e mandateve?

Të protestosh është një e drejtë në demokraci, sigurisht protestat demokratike kanë disa rregulla të caktuara, për të shfrytëzuar të drejtën tëndë dhe të mos prishur të drejtën dikujt tjetër, prandaj merret lejë, prandaj i kërkohet lejë policisë, prandaj përcaktohet edhe vendi. Pra në qoftë se, protestat zhvillohen të tilla, në këtë formë janë demokratike dhe janë të mirëpritura, sepse jo të gjithë nuk janë dakord me ato që bën qeveria, sepse për ndryshe nuk do të kishte demokraci.

Pra, në këtë aspekt,protesta është krejtësisht normale që të ndodhë megjithëse për hir të së vërtetës në demokracitë e zhvilluara, partitë të cilat synojnë pushtetin nuk nxjerrin njerëz në rrugë për të protestuar, sepse në të kundërt pastaj kur vjen në pushtet, kundërshtarët e tyre iu bëjnë të njëjtën gjë. Në përgjithësi, protestat organizohen nga grupi i interesi, sindikatat, shoqatat të cilave iu është shkelur një drejtë ose që duan të dëgjohen nga dikush. Protesta nuk ka qëllim të rrëzojë një pushtet dhe të sjellë një pushtet tjetër apo të provokojë zgjedhje të parakohëshme, sa më pak të dorëzosh mandatin që për mendimin tim është një gafë e madhe politike, cilido qoftë justifikimi dhe sa do i sajuar të jetë ai.

Një deklaratë të fortë ka dhënë dhe Presidenti Ilir Meta, i cili ka shprehur gatishmërinë për të dorëzuar dhe ai mandatin?

Personalisht mendoj që Presidenti i Republikës duhet të kishte luajtur një rol tjetër, pavarësisht faktit që palët janë të vendosura në barrikada ndofta larg njëra – tjetrës dhe larg jetës së një gjuhe konfromisi apo dialogu në këtë moment gjithësesi Presidentit i takonte që të mbante një pozicion tjetër. Më shumë

se kaq, nuk dëshiroj të komentoj në këtë cast sepse besoj që edhe Presidenti ndofta ka qënë edhe pak më shumë i mërzitur seç duhet sot.

Faktikisht, dorëzimi i mandatit të Presidentit, për qeverinë dhe për Shqipërinë mund të jetë e vështirë pasi thellon akoma dhe më shumë krizën?

Presidenti nuk ka mandat siç e ka deputeti. Presidenti mund të japë dorëheqje, pra mund të largohet nga posti sepse ashtu e shikon të arsyeshme por unë besoj që të largohesh nga pozicioni më i lartë i shtetit , pa patur disa arsye të qartësishme do të thotë që duhet të kesh disa interesa të tjera, të cilat ndoshta për momentin nuk duken, unë besoj që të mos jetë kështu.

Në rast largimi të presidentit Meta, a mund të zëvendësoshet ai nga një figurë e PS. Është dëgjuar dhe lakuar për President z.Nano?

Këtë nuk e di. Ne e kemi ftuar z.Nano në kongres, shpresoj që të na vijë aty ku ndofta edhe kontributi që ai ka dhënë në vite do të mund të gjente më shumë reflektim. Për pjesën tjetër, në rast se vendi i Presidentit do të ngelet bosh, sigurisht PS do ta mbush atë dhe mua më vjen edhe mirë sepse ne njëherë kemi patur President në kaq shumë vite tranzicion demokracie , u bënë gati 28 – 29 vite, mund të na takonte ta kishim ne President, edhe pse në fakt presidenti Z. Meta është zgjedhur edhe me votat e PS . Cilat janë objektivat që arriti Kongresi?

Kongresi është një kongres i zakonshëm elektoral. Partitë politike në përgjithësi, dhë në mënyrë të veçantë PS finalizon një proces parapërgatitor që e kemi nisur që në shtator, e finalizojmë me këtë kongres për t’i hapur rrugën fushatës elektorale që vjen për zgjedhjet e 30 qershorit, të cilat jua them me siguri që do të jenë më 30 qershor.

Mendoni që do të jenë të vetëm apo me kundërshtarë politikë?

Unë nuk besoj që kundershtarët tanë qofshin partitë politike, qofshin individë do të rrefuzojnë që do të hyjnë në këto zgjedhje sepse do të ishte akoma më shumë një budallallëk tjetër. Zgjedhjet e pushtetit lokal nuk bëhen për interesa politike, ato janë për interesat e zgjidhjes së halleve dhe problemeve të njerëzve, çka do të thotë që në të gjithë botën zgjedhjet lokale shikohen për administratorë për hallet dhe shqetësimet e njerëzve. Pavarësisht se ka edhe një lloj testi për partitë politike. Tek ne si zgjedhjet lokale, si zgjedhjet politike shikohen të gjitha në të njëjtin tifozllëk o humbe, o fitove. Kështu që në këndvështrimin e një demokracie që funksionon dhe në këndvështrimin e asaj se ku do të shkojë Shqipëria nesër në rrugën Europiane, unë personalisht dhe PS do që ti shikojë këto zgjedhje lokale si zgjedhje lokale që janë për të zgjedhur administratorët për hallet dhe problemet e njerëzve, duke patur parasysh edhe faktin që me reformen e re territoriale që kemi bërë, me ligjin e decentralizimit të pushtetit lokal , gati 80% e problemeve të njerëzve sot janë në dorë të pushtetit lokal , për këtë arsye është shumë e rëndësishme që edhe njerëzit ta kuptojnë që edhe këto zgjedhje janë për të zgjedhur administratorin më të mirë për zgjidhjen e halleve, problemeve, shqetësimeve, me të cilat do të përballet që nga momenti që zgjohet deri në të ngrysur, cka do të thotë që nga kopshti, cerdhja, pastrimi, uji, kanalizimet, lulishtja, gjelberimi, taksa dhe shumë gjëra.

PS e ka mbyllur listën e kandidatëve për çdo bashki?

Jemi duke punuar, sigurisht ne kemi akoma afate ligjore, kodi na lejon. Në kongres do të nxjerrim listën e kandidatëve të bashkisë së Tiranës dhe pastaj dalëngadalë do të nxjerrim edhe listat e tjera.

Si do i thyeni bastionet e djathta që janë në bashki?

Ne kemi thënë që në momentet kur e filluam këtë fushatë parapërgatitore, që ne tentojmë të fitojmë të 61 bashkitë, duke thënë këtë nuk nënkuptojmë që do të fitojmë të 61 bashkitë, të paktën po pati një garë normale, por për ne nuk ka një bashki të vogël apo një bashki të madhe , një bashki të rëndësishme apo një më pak të rëndësishme, besoj që ne do të fitojmë atje ku strukturat tona janë përgatitur më mirë, dhe do të organizohen më mirë, sepse në themel të filozofisë me të cilën ne hyjmë në zgjedhje dhe filozofisë me të cilën ne besojmë që do të fitojmë në zgjedhje është organizim. Në rast se ne do të jemi të organizuar mirë, do të mund të thyejmë edhe bastionet e djathta të PD-së, sikurse na ka ndodhur që nuk kemi qënë të organizuar mirë të kemi humbur ndoshta edhe bastionet tona.

Kandidatët që do të rikandidohen do të jenë të vlerësuar mbi bazën e punës?

Po, ne kemi bërë një proçes, një proçes edhe sot do ta shihni, por edhe një proçes nga të gjitha këto aktivitete që kemi zhvilluar me strukturat tonë, dhe gjatë vitit të kaluar në periudhën e tetor – nëntorit kemi bërë një aktivitet në të cilën kryetarët e bashkive, të paktën bashkive që drejtoheshin prej nesh dhe këshilltarëve bashkiake atje ku nuk drejtohen prej nesh, kanë bërë një proçes llogaridhënie në publik duke parashtruar edhe vizionet e tyre personale por edhe të forcës sonë politike, për mandatet e tjera drejtuese, për rrjedhojë ne kemi sot këtë rezultat qoftë të strukturave, qoftë edhe të sondazheve, gjithashtu qoftë edhe të punës që është bërë realisht.

Z. Servet Pëllumbi, babai juaj ju qëndron çekan mbi kokë në punën tuaj si politikan?

Ai është babai im, dhe si babai im në raport me fëmijën sado që të rritet ngelet gjithmonë babai dhe unë besoj që të gjithë djemtë dhe vajzat, gjithë fëmijët në përgjithësi, e kanë gjithmonë kënaqësi që vërtetë të kenë dhe të marrin këshilla nga prindërit e tyre, në mënyrë të veçantë profesori është gjithmonë një figurë që ka cfarë thotë dhe ka cfarë këshille të të japi në cdo situatë të caktuar . Ai nuk më lë të gabojë. Konsultohem shpesh. (TemA Javore)