KLOTILDA HARKA/ Në 10 vite bashkëpunime, Erion Isain dhe Bes Kallakun i shohim jo vetëm në duete ku vijnë në unison mendimesh, por edhe në duele idesh të kundërta.

Pas largimit nga “Portokalli” bëhen pjesë e klanit të Ardit Gjebresë, tashmë si një trinom televiziv së bashku me aktorin e ri, Olsi Bylyku. Një banak, disa tavolina dhe mysafirë janë improvizimi skenik i një kafeje, sipas stilit të Bashkimit Europian, puna e re në televizion e Isait. Artisti, zgjedhja e të cilit në krye të Qendrës Kombëtare të Kulturës për Fëmijë dhe Teatrit të Kukullave u shoqërua me shumë “grushte virtualë”, siç ai i etiketon qëndrimet skeptike, rrëfen për “Panorama Plus” jetën mes show-t të televizionit dhe administratës:

“BE COFFEE”, është rubrika e re në “E Diela Shqiptare”, “Tv Klan”, ku të shohim në një treshe të importuar nga “Portokalli” me Bes Kallakun dhe Olsi Bylykun. Mund të na tregoni si lindi ideja për këtë emër dhe çfarë variantesh të tjera hodhët poshtë?

Ideja e emrit ishte një ngacmim i Ardit Gjebresë. Ai bëri ngacmimin te BE, dhe më pas definuam në “BE Coffee”. Ngacmimi midis Bashkimit Europian dhe dëshirës së papërmbajtshme për kafenenë. Sigurisht dhe asocimi me emrat tanë… Dhe kështu lindi kjo që sapo kemi filluar.

Si është të punosh me Ardit Gjebrenë, e thjeshtë apo e vështirë dhe pse?

Është e thjeshtë, sepse mbështetja e tij është kollonë. Është e vështirë sepse përkushtimi dhe kërkesa e tij është e madhe dhe me një energji të jashtëzakonshme.

Kënga e Bes Kallakut dhe Olsi Bylykut shigjetonte politikën, moderatorët dhe analistët e njohur. E kujt ishte ideja për këtë këngë dhe patët reagime nga të përmendurit në vargjet e saj?

Jo, nuk patëm reagime. Nuk është hera e parë që e bëjmë dhe s’do jetë as e fundit. Atë çfarë bëhet në emision është një produkt i një tavoline diskutimi midis nesh dhe Vangjel Kozma, si skenarist, i cili është dhe autori i vargjeve.

Po kafja e parë me ish-pedagogen tuaj Ema Andrea dhe motrën e saj sipërmarrëse si ishte? Duke qenë mes tyre mendon se ia vlen të jesh artiste apo biznesmene për të qenë i lumtur në këtë vend?

E mira do ishte të ishin të dyja, edhe artist, edhe biznesmen. Sepse do të plotësonin njëra-tjetrën. Por nëse do të zgjidhja, artin sigurisht.

Prej vitesh jeni identifikuar në dyshet skenike me Bes Kallakun. Si punojnë dy shokë për të shkruar skenaret, si është rutina e punës suaj?

Është e përditshmja jonë. Ne tashmë kemi 10 vjet që punojmë bashkë. Tani ne kuptohemi, dakordësohemi dhe me shikim. Puna na ecën vaj. Besi është bashkëpunëtor perfekt.

Monologjet e Olsi Bylykut ju i dëgjoni nga banaku i improvizuar në studion e “E diela shqiptare”. Në ç’raste ai fiton epërsi ndaj dialogjeve tuaj?

Në ato raste kur ne në skenar e vendosim. Secili ka pozicionin e mirëmenduar dhe përcaktuar. Është njësoj si skemat e futbollit.

Çfarë pini për të qenë energjikë të dielave dhe ku frymëzoheni për të sjellë batuta të reja dhe unike?

Nga aktualiteti. Është pija më e mirë madje që të mbingop në Shqipëri. Shumë u fol për “blerjen” që ju bëri “Klan”.

Si mund të na e thuash në mënyrën tënde se sa paguheni?

Tani që jam në pozicion drejtuesi, unë e deklaroj pasurinë dhe vitin tjetër pasuria ime do jetë publike, kështu që kushdo që do jetë kurioz do ta gjejë online. Mund të them që paguhem shumë më mirë.

Mes punës në televizion dhe asaj në adminstratë, si drejtor i Qendrës Kombëtare të Kulturës për Fëmijë dhe Teatrit të Kukullave, në cilën punë ndihesh në vendin dhe kohën e duhur?

Te të dyja. E përditshmja si drejtor është vrull pasioni dhe lufta e materializimit të ideve. Emisioni është dashuria e kënaqësisë së të qenit në art, në skenë dhe televizion. Nuk i ndaj dot. Fakti që i kam të dyja është më e lodhshme për mua sepse nuk më lë fundjavën pushim, por kjo e bën edhe më të bukur.

Zgjedhja jote në këtë post u shoqërua me diskutimin publik nëse ishte zgjedhje politike apo e merituar. Si i prite komentet nga kundërshtarët, që u bënë atëherë dhe cila është fryma e re që po sjell në këtë institucion për argëtimin e fëmijëve?

Me asnjë lloj ndjesie. Thjesht jam aty për të punuar. Për të bërë më të mirën. Unë jam në luftë me materializimin e ideve të mia, jo në “grushte virtualë” me fjalët dixhitale. Puna është kapaku më i mirë i çdo skepticizmi apo sulmi.

Tani që jeni të martuar dhe jeni bërë prindër, po ashtu ti dhe Besi, i kushtoni më shumë kohë punës apo familjeve dhe çfarë ankesash kanë bashkëshortet për ju?

Herë më shumë vëmendje punës dhe herë familjes. Kjo asnjëherë nuk ndahet me thikë. Bashkëshortet kanë të njëjtën ankesë, që ne s’ndajmë kohën e mjaftueshme me to. (Panorama Plus)

Lër një koment

Please enter your comment!
Please enter your name here