Qeveria është e vendosur në planin kundër informalitetit. Kryeministri Rama ka publikuar pamjet e bllokimit të një hoteli, ndërsa shkruan se numërimi mbrapsht ka nisur dhe humbja do të jetë e rëndë për çdo shkelës. “Stop informalitetit. A i’a vlen humbja që sjell bllokimi ligjor për përfitimet nga shkelja e ligjit?! Kushdo që shkel ende ligjin le t’i bjerë lapsit. Numërimi mbrapsht ka nisur dhe humbja do të jetë e rëndë për çdo shkelës” thotë Rama në një postim në Facebook. Ndërkohë që në zbatim të planit operacional për luftën kundër informalitetit ministrja Anila Denaj vizitoi dje dy biznese në Tiranë nga ku u shpreh se synimi është ulja e informalitetit dhe eliminimi i konkurrencës së pandershme.

Ministrja garantoi të gjithë bizneset që zbatojnë ligjet në fuqi se nuk duhet të shqetësohen nga inspektimet dhe monitorimet e administratës tatimore, pasi objektiv është ulja e informalitetit dhe sigurimi i konkurrencës së ndershme në treg, por theksoi se nuk do të hezitohet në marrjen e masave ndaj çdo subjekti apo njësie tregtare që shkel ligjin. “Garantoj të gjithë bizneset që kushdo që është në mbështetje të procedurave ligjore nuk ka pse të ketë asnjë shqetësim nga inspektimi, as nga tatimi, por mbi të gjitha duhet të trembet nga gjoba nëse në mungesë të respektimit të ligjit ajo gjobë do të vendoset, pasi është në të mirë të konkurrencës së ndershme dhe në respekt të punës, vullnetit tuaj dhe përpjekjeve tuaja që konkurrenca e ndershme të vendoset në vend. Asnjë problem nëse ligji zbatohet, asnjë shirit nëse ligji zbatohet”, u shpreh Ministrja.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë informoi bizneset mbi nisjen e zbatimit të Planit Operacional në luftën kundër informalitetit, zbatim i cili do të jetë i vazhdueshëm dhe do të angazhojë jo vetëm Ministrinë dhe administratën tatimore, por edhe institucione të tjera shtetërore. “Plani Operacional nënkupton që strukturat brenda administratës tatimore, në ministri, dhe së bashku me institucionet e tjera që nuk është vetëm administrata tatimore, është Inspektorati i Punës dhe institucione të tjera, të sigurojnë që Plani Operacional të jetë i vazhdueshëm, në përpjekje për të respektuar ndershmërinë ndaj zbatimit të ligjit dhe mbi të gjitha konkurrencën e ndershme”, theksoi Ministrja Denaj.

Para dy ditësh, kreu i qeverisë, Edi Rama paralajmëroi “furtunë” te Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, pas shkarkimit të drejtorit Enton Duro. Në prezantimin e drejtoreshës së re të Tatimeve, Delina Ibrahimajn, Rama theksoi se rezultati do të jetë bazik për çdo drejtor e punonjës të administratës shtetërore. Duke iu drejtuar të gjithë bizneseve në vend ai u bëri thirrje që të lëshojnë rregullisht faturat, pasi në të kundërt pasojat do të jenë të rënda.