Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA), organizoi sot tryezën e dytë të diskutimit mbi ndryshimet e propozuara në ligjin nr. 97/2013 ”Për mediet audiovizive në Republikën e Shqipërisë”.

Ky projektligj synon krijimin e një kornize ligjore për rregullimin e përmbajtjes së informacionit që ofrohet online nga ofruesit e shërbimeve të publikimeve elektronike, me qëllim garantimin e së drejtës së informimit, të drejtës së përgjigjes si dhe mbrojtjen e dinjitetit dhe të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.

Duke qenë se mediet online po zënë vend gjithnjë edhe më shumë në hapësirën mediatike shqiptare është parë e udhës që veprimtaria e tyre të rregullohet edhe nga ana ligjore.

Në këtë takim pune që pati në qendër të diskutimeve edhe piraterinë online dhe mbrojtjen e të drejtave të transmetimet kishte përfaqësues nga AMA, Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, Drejtoria e Hetimit të Krimeve Financiare, Drejtoria e Hetimit të Krimeve Kompjuterike në Departamentin e Policisë Kriminale të Policisë së Shtetit si dhe përfaqësues të platformave televizive Tring dhe Digitalb.

Duke qenë se subjektet audio deri tani kanë qenë të rregulluara problemet që u shtruan prej tyre ishin për rregullimin e shfaqjes së përmbajtjeve audiovizive në adresa pirate online sidomos për programet me të drejta ekskluzive.

Në takim u kërkua që në ligj të parashikohen qartë procedurat e ndalimit të këtyre akteve dhe drafti të plotësohej me komentet e tyre që problemet të zgjidheshin sa më shpejt. Të gjithë palët e ftuara në takim u treguan shumë bashkëpunuese dhe komentet e tyre mbi projektligjin do t’i dërgojnë brenda datës 7 janar 2019.

Konsultimet për këtë projektligj do të vazhdojnë edhe ditët në vijim, me grupe me të gjera interesi.