Ministri i Brendshëm Sandër Lleshi pas inaugurimit të Komisariartit nr.6 në zonën e Kombinatit në Tiranë ka folur rreth situatës së krijuar në Universitete dhe ndërhyrjes së Policisë.

“Sot banorët e zonës së Kombinatit, që është një nga njësitë më të mëdha të kryeqytetit, pas pothuajse 3 dekadave mungese vëmendjeje në këtë fushë për të cilën jemi mbledhur sot, kanë një Komisariat të ri të ri-konstruktuar tërësisht, së bashku me Zyrën moderne të Shërbimeve për Qytetarët”, tha Lleshaj.

“Investimi në këtë mënyrë në përmirësimin e kapaciteteve të Policisë së Shtetit, besojmë se është mënyra më e mirë për të investuar tek besimi i qytetarëve, besim i cili në një farë mënyre është karburanti me të cilin ne duhet të funksionojmë dhe në qoftë se mbaron ky besim, ne na ka mbaruar dhe karburanti me të cilin funksionojmë”, shtoi ministri brendshëm.

“Këto investime ndihmojnë Policinë e Shtetit që jo vetëm t’i shërbejë më mirë komunitetit, por dhe të forcojë më tej kapacitetet e saj në luftën kundër krimit të organizuar, krimit ekonomik, atij financiar, korrupsionit, paligjshmërisë dhe formave të tjera të krimit”, tha Lleshaj.

“Rezultatet e arritura në kuadër të operacionit “Forca e Ligjit” janë një inkurajim i rëndësishëm për të thelluar më tej punën në këtë drejtim. Motoja jonë për vitin 2019 e në vijim do të jetë që Operacioni “Forca e Ligjit” nënkupton gjithë Policinë e Shtetit dhe jo vetëm Task Forcën e organizuar për këtë qëllim”, tha ai.

“Pra, e gjithë Policia e Shtetit do të jetë pjesë e këtij operacioni, i cili duhet të synojë thellimin e rezultateve të deritanishme, i cili do të synojë rritjen e treguesve në luftën kundër kriminalitetit, në forcimin e sigurisë publike dhe në prezantimin e rezultateve të prekshme, të cilat do të na bëjnë të mundur që në procesin e negociatave për anëtarësimin në BE, ne të kemi mundësi të dëshmojmë që kemi pjekurinë e nevojshme, kemi treguesit e nevojshëm për të merituar hapjen e këtyre negociatave, të cilat do të shënojnë edhe një rast të jashtëzakonshëm progresi të vendit tonë drejt anëtarësimit në BE-së”, nënvizoi Lleshaj.

“Në vitin 2019 do të vazhdojnë dy projekte të rëndësishme që do të fokusohen kryesisht në krijimin e kapaciteteve të duhura për punën, për stërvitjen dhe për veprimtarinë e forcave operacionale të Policisë së Shtetit. Po ashtu një investim i rëndësishëm po bëhet në Shkodër dhe investime të tjera po bëhen edhe në fushën e modernizimit në tërësi, qoftë në drejtim të krijimit të qendrave të të dhënave, modernizimit të flotës së Policisë së Shtetit, modernizimin në fushën e teknologjisë së informacionit dhe në fusha të tjera, të cilat do të mundësojnë që Policia e Shtetit të ngrihet në një nivel të ri në mënyrë që të jetë më e aftë për të përballuar sfidat e një misioni shumë kompleks i cili bëhet përditë e më i ndërlikuar për aq kohë sa krimi bëhet përditë edhe më i ndërlikuar”, tha Lleshaj.

“Akademia e Sigurisë do të fillojë së shpejti një program të ri që do t’u mundësojë studentëve që kanë mbaruar me suksese, me rezultate shumë të larta në universitetet e vendit kryesisht në degë deficitare për Policinë e Shtetit si: Ekonomia, Financa, Informatika, Elektronika dhe Jurisprudenca, këta qytetarë, pra këta studentë që kanë përfundimet studimet me rezultate shumë të larta do t’i nënshtrohen një programi të rëndësishëm arsimimi në Akademinë e Sigurisë, në mënyrë që së shpejti të bëhen pjesë e strukturave tona të hetimit, për të fuqizuar sa më shumë kapacitetet e Policisë në fushën e luftës kundër krimit të organizuar në tërësi, atij ekonomik, financiar dhe korrupsionit në veçanti dhe për ta realizuar këtë kërkohen specialist, kërkohen profesionist të rinj”, bëri të ditur Lleshaj.