Nga Alfred Peza/

Për të gjithë ata që mendonin se Presidenti i Republikës Ilir Meta nuk është nga ata burra që e mban fjalën, sot janë zhgënjyer.

Sepse ai sapo e vrau veten, ashtu siç na kishte premtuar nga Pogradeci, si Presidenti kilian Salvador Allende.

Në ndryshim nga ai, ky akt dëshpërimisht “in extremis” nuk erdhi sepse pallati i tij ishte rrethuar nga trupa ushtarake, në përpjekje për të realizuar një grusht shteti.

Përkundrazi. Ai ishte i rrethuar nga opozita që kërkoi prej tij si Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura që të bëntë një grusht kushtetues shteti, dhe ai nuk ua prishi.

Ua plotësoi dëshirën: Shkroi një letër ku thotë se paska vendosur që të shfuqizojë Dekretin Nr. 10928, datë 05.11.2018 për zhvillimin e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore më datë 30 qershor 2019.

Arsyeja? As ai nuk e di. E rëndësishme ishte që ora e deklaratës së tij të përputhej me fillimin e protestës së radhës, të opozitës së rrugës. Por do mendohet pak, sa të nxihet pak në diell në plazh. E shtuna dhe e diela përpara janë.

Ndaj na tha: Në komunikimin të hënës, dt. 10 qershor, do të bëjë publikisht me dije të gjithë argumentat shteruese kushtetues, ligjorë dhe logjikë që çuan në marrjen e këtij vendimi.

Sipas Kushtetutë Presidenti i Republikës sipas nenit 92, pika gj, e Kushtetutës, ka të drejtë vetëm të “caktojë datën e zgjedhjeve për Kuvendin, për organet e pushtetit vendor dhe për zhvillimin e referendumeve;”

Pra, Presidenti nuk ka të drejtë të shfuqizojë dekretin e datës së zgjedhjeve. Kjo është arsyeja se përse ai nuk ka asnjë referencë Kushtetuese dhe Ligjore në deklaratën e tij. E se përse do mendohet deri të hënën.

Duke qenë se jemi përpara një akti të kryer vetvrasjeje nga Presidenti në tentativë për ti bërë grusht shteti Republikës se vet, deri të hënën Parlamenti duhet të jetë mbledhur për ta shkarkuar. Vendi i Ilir Metës, nuk duhet lënë më, asnjë minutë bosh.