Nga Alfred Peza

I madh ky Ilir Meta. Në një intervistë për gazetën greke “Kathimerini” paska thënë: “Në Shqipëri sot ka vetëm një konflikt madhor. Është konflikti mes kryeministrit dhe shtetit të së drejtës, demokracisë dhe pluralizmit politik.” Me fjalë të tjera Meta e Kryemadhi, Berisha e Basha, në konfliktin me Edi Ramën:

-Përfaqësojnë shtetin e së drejtës, por duan vetëm pak… zhbërjen e reformës në drejtësi.

-Përfaqësojnë demokracinë por e duan atë pa demokraci.

Por, duke djegur mandatet e deputetëve, duke dalë nga Parlamenti, duke sulmuar institucionet kushtetuese me molotovë dhe duke mos u futur në zgjedhje.

Nuk e dinim që demokracia qenka simbol i lojës së rrugës!

– Përfaqësojnë pluralizmin politik por duan ta emërojnë vetë kundërshtarin politik.

Meqë Edi Rama i mund, e duan pushtetin në tavolinë, sepse nuk e fitojnë dot me votë.

Katërshja që del nga sistemi, qenka simbol i pluralizmit.

Ndërsa ai që zbatoka rregullat e lojës pluraliste, qenka monist! Hajde logjikë hajde.

E ta mendosh që këto broçkulla Presidenti ynë në ikje, i ka thënë në një media ku e ka edhe origjinën, ideali demokratik i njerëzimit.

Në Greqinë e lashtë të epokës klasike (shek. V e IV p.e.s.) ku reformat e Solonit, Pisistratit dhe Klistenit lejuan përparimin dhe ngritjen e sistemit demokratik të cilat Efialti e Perikliu i perfeksionuan.

Siç shihet, Ilir Meta nëpërmjet intervistës që kishte habitur edhe gazetarin vetë, paska dhënë leksionin e gabuar, në kohën dhe në vendin e gabuar!