Nga Alfred Peza/

E gjithë retorika jo Presidenciale e Ilir Metës gjatë ditëve të fundit, përtej të gjitha kritikave që meriton, nuk duhet parë vetëm negativisht. Përkundrazi!

Ashtu si në atë thënien e njohur të Nastradinit se çdo e keqe e ka një të mirë, edhe shfaqja e çakorduar dhe e çakërdisur e Ilir Metës sot e meriton një duartrokitje. Të madhe madje. Sepse më në fund, ai e nxorri hapur “kokën e muhabetit” të të gjithë lojës politike të opozitës së rrugës që ai tashmë përfaqëson. Ai na e tregoi të zezë mbi të bardhës se ky hall lidhet vetëm me reformën në drejtësi.

Kur PS dhe Edi Rama deklaronin se halli i vërtetë i Berishës, Bashës, Metës dhe Kryemadhit për 30 Qershorin, nuk janë ato që deklarojnë por reforma në drejtësi, shumëkush besonte se kjo ishte propogandë! Kur mazhoranca thoshte se djegia e mandateve, dalja nga Parlamenti, protestat e molotovëve dhe mosfutja në zgjedhje nuk ka lidhje me luftën për “votën e lirë”, por me hallin nga SPAK dhe BKH, jo pak prej shqiptarëve menduan se edhe kjo ishte propogandë.

Edhe kur thanë “ose ikën Edi Rama, ose shkrihet opozita”, përsëri halli ishte reforma në drejtësi dhe asgjë tjetër.
Edhe kur Ilir Meta çdekretoi 30 Qershorin, edhe kur ai dekretoi 13 tetorin, halli ishte përsëri reforma në drejtës.
Edhe kur nuk pranojnë për asnjë arësye dialog pa kushte me mazhorancën, edhe kur herë bëjnë nacionalistin e herë sovranistin duke sulmuar SHBA dhe BE, përsëri halli i vërtetë i opozitës është reforma në drejtës.

Ku dëshmohet kjo sot?

Brenda tri orësh sot Ilir Meta ka bërë tri statuse në facebook-un e tij e të trija janë vetëm për kryehallin e madh të opozitës: Reformën në drejtësi.

Meta shkruan se pas pak do fillojë “me sqarimin e momentit historik të ndryshimit cilësor nga Reformë (e Drejtësisë) në Ramaformë. Ky do të jetë një cikël i gjatë, shpjegues dhe çtensionues. Pasi të përfundojmë me Ramaformën në Drejtësi, do vijojmë me Ramaformat në të gjitha fushat e jetës.”

Kaq mjafton për të kuptuar se ku flinte “lepuri” i frikës së madhe që e ka zënë katërshen e lidershipit të opozitës së rrugës. Sapo u mbyll 30 Qershori dolën hapur dhe sapo thanë që halli është “Reforman në Drejtësi”.
Halli i liderëve tanë është i ndryshë nga ai i liderëve politikë të botës demokratike. Bill Klinton, në fushatën elektorale të 1992 kundër Xhorxh Bush (i vjetri) përdori frazën lapidare: “Është ekonomina, o budalla!” për të tërhequr vëmendjen e votuesve të pavendosur amerikan.

Edhe në lidhje me 30 Qershorin, për të gjithë ata që nuk e kuptojnë se ku është halli i vërtetë personal i Berishës, Bashës, Metës dhe Kryemadhit, Presidenti drejt shkarkimit sapo ua tha sot: “Është drejtësia, o budalla!”