Ilir Meta ka marrë të gjithë protagonizmin politik opozitar, duke e nxjerrë Lulzim Bashën tërësisht jashtë loje. Në zyrën e presidentit ku duhet të garantojë unitetin kombëtar, Ilir Meta po bën krejt të kundërtën, duke i kthyer të gjithë kundër vetes, për interesa që duken krejt personale.

Teksa ka dhënë kontributin maksimal që përplasjet të intensifikohen, sot ka dalë si koshi pas të vjelash për të kërkuar qetësi.

Ilir  Meta ka ndërmarrë disa hapa për të dalë kundër të gjithëve dhe totalisht përçarës në vend që të ishte dialogues dhe bashkues.

Ilir Meta e nisi përçarjen duke mos reaguar. Që në fillim kur Lulzim Basha dhe e shoqja (Kryemadhi) morën vendimin vetëvrasës për të lënë mandatet, Ilir Meta heshti dhe foli i fundit. Vazhdoi heshtjen edhe kur kishte dhunë në protesta dhe në fund, e thyeu heshtjen duke i hedhë benzinë zjarrit, duke zh’dekretuar datën e zgjedhjeve ( që rezultoi një akt nul dhe i pazbatueshëm).

Për të vazhduar rrugën e tij përçarëse dhe kundër të gjithëve, ndryshe nga ç’ja dikton zyra që mban, Ilir Meta doli dhe ndryshe nga dëshira e shqiptarëve, foli kundër partnerëve ndërkombëtarë. Një popull që është mbi 90% pro amerikan e Pro europian, ka një president që është kundër të gjithëve.

Akti i fundit që Ilir Meta bëri për të treguar se nuk garanton unitetin kombëtar (ndaj edhe duhet shkarkuar urgjent), ishte dekretimi i një date tjetër zgjedhjesh, vetëm për të rritur përçarjen. E përçarja këtë herë shkoi deri aty sa as Lulzim Basha nuk është më dakord me Metën. Me të është dakord vetëm Tit Vasili.

Në këto kushte, llir Meta i ka kthyer të gjithë kundër vetes. Nuk garanton unitetin kombëtar, por politikën përçarjes./Lexo.al – M.F.