Akti i fundit i Ilir Metës nga pozicion i i Presidentit të Republikës për anulimin e 30 qershorit si datë e zgjedhjeve vendore është i paprecedentë.

Nuk ka ndodhur as në Shqipëri, madje as në Turqinë e Erdogan dhe Maqedoninë e Nikola Gruevskit një skandal i tillë, i përmasave që i tejkalon caqet e shkeljes së Kushtetutës së vendit.

Argumentet që sjell Ilir Meta për anulimin e garës zgjedhore, kur ka 10 ditë që ka nisur, janë në të njejtën gjatësi vale me ato të opozitës, përpos faktit shtesë që Presidenti firmos dekretin në emër të Kushtetutës.

Në analizën e këtyre argumenteve të paraqitura në pikë të mëngjesit nga kreu i shtetit spikat pretendimi i kahershëm i opozitës se Edi Rama po kërkon të kapë të gjitha pushtetet.

Duket se Metës i “djeg” shumë ngritja e SPAK dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit, institucione këto që do të merren me “peshqit e mëdhenj” dhe që me sa duket kanë tronditur qetësinë për të gjithë ata që janë në listën e të korruptuarve në Shqipëri.

Në të njejtën kohë Meta ngre pretendimin se opozita ka kushtet e veta për të hyrë në zgjedhje dhe nuk ka thënë kurrë se do të bojkotojë zgjedhjet.

Por kushti i parë dhe i fundit që opozita ka vënë për të hyrë në zgjedhjet vendore apo më pas dhe në zgjedhjet parlamentare është largimi i Edi Ramës nga posti i kryeministrit.

Presidenti shtyn pa afat datën e zgjedhjeve me argumentin se duhet që palët të ulen në dialog, ndërkohë që opozita ku bashkëshortja e tij është palë, nuk ulet në tryezë me Ramën kryeministër.

Pra Ilir Meta, në mënyrë të drejtëpërdrejtë përjashton kryeministrin Edi Rama nga dialogu e pala për zgjidhjen e krizës, përjashton zgjedhjet me Ramën kryeministër.

Një qasje kjo e kreut të shtetit që është në kundërshtim dhe me qëndrimin e partnerëve tanë ndërkombëtarë SHBA e BE, të cilët e quajnë qeverinë dhe parlamentin legjitim, dhe kërkojnë që zgjedhjet të bëhen më 30 qershor , pasi kanë dërguar dhe vëzhguesit e tyre.

Por Meta sulmon në mënyrë të paprinciptë dhe një parti të re të sapolindur, Bindjen Demokratike të Astrit Patozit, të cilën e quan si një parti të krijuar me emergjencë nga mazhoranca për të legjitimuar 30 qershorin.

Ilir Meta, është në rast të përsëritur në veprimin e tij për shkeljen e Kushtetutës dhe cënimin e stabilitetit të vendit, pasi më parë ka refuzuar dekretet e disa ministrave, ndërsa e ka bërë të udhës rrëzimin e të gjitha ligjeve të miratuara nga mazhoranca.

Në të njejtën kohë me të gjitha forcat, në shkelje të ligjit dhe Kushtetutës ka tentuar të bllokojë reformën në drejtësi.

Ndaj Ilir Meta si President i Republikës nuk mund të konsiderohet thjeshtë dhe vetëm një shkelës i konsoliduar i Kushtetutës dhe e ligjeve të vendit, duke vepruar si një kryetar partie dhe i këshilluar nga këshilltarët më të këqinj të mundshëm.

Kreu i shtetit në mënyrë të përsëritur ka manifestuar paqëndrueshmëri të shëndetit mendor, teksa ka shfaqur më se njëherë se vuan nga “sindromi” i vetëvrasjes.

Para mediave dhe në mënyrë publike ka deklaruar në Pogradec se është gati të japë dhe jetën vetëm që të zgjidhet kriza politike.

Vetëvrasjes politike në krye të shtetit i gjendet “ilaçi” përmes vendimit të Kuvendit që mund ta largojë nga Presidenca për shkelje të rënda të Kushtetutës.

Ndërkohë që sindromit të vetëvrasjes në kuptimin real të fjalës, bëhet fjalë për një deklaratë të dhënë nga kreu i shtetit në mënyrë publike, e vetmja zgjidhje është krijimi i një komisioni mjeko-ligjor me pjesëmarrjen dhe të partnerëve tanë ndërkombëtarë me ekspertët e tyre, që të analizojë gjendjen mendore të Presidentit.

Presidenca duhet të jetë e drejtuar nga një figurë pa lëkundje të shëndetit mendor dhe për më tepër në këtë situatë ku po kalon vendi, me një rini me kërkesa gjithnjë e në rritje, një President me sindromin e vetëvrasjes është një shembull i keq dhe “minë me sahat” për të ardhmen e vendit.

Ndërsa zgjedhjet për pushtetin vendor duhet të zhvillohen në datën e caktuar më 30 qershor, në injorim të plotë të aktit administrative të Ilir Metës, si Presidenti i një republike parlamentare sikurse është Shqipëria./M.Nikaj