Çështja çame është pika ndarëse tashmë mes PDIU-së dhe qeverisë “Rama”. Kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi tregon për “Gazeta Shqiptare” arsyet pse ikën nga koalicioni me PS-në dhe iu bashkuan aleancës së kryesuar nga Lulzim Basha.

Idrizi thotë se kur mazhoranca mori mandatin, e kishte në program çështjen e gjenocidit çam, por më pas e hoqi, gjë që detyroi prishjen e marrëveshjes dypalëshe.

Sipas tij, qëndrimi i qeverisë ndaj çështjes çame dhe ndryshimi total i kursit bën që PDIU të kalojë në opozitë. Me opozitën e drejtuar nga Lulzim Basha firmosi në prani të Presidentit të nderit të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, zotin Migliori. Garancia ishte e fortë për Shpëtim Idrizin, saqë nuk e “frikësoi” fakti se në të njëjtin front me të kundër Ramës është edhe Vangjel Dule i PBDNJ-së.

“Unë e di shumë mirë cilët janë pjesëtarët e koalicionit, sepse lexoj edhe gazetat, por marrëveshja ësh-të programore dhe jo individuale. Kur ti punon për një marrëveshje programore, nuk mund të bësh negociatat në të pëlqen apo jo një tjetër anëtar i koalicionit.

Ajo që më pëlqen është që çështja çame është në programin e opozitës dhe do të jetë në programin e qeverisë së saj”, – tha z.Idrizi.