Vihet në prangat e policisë një person i shpallur në kërkim, për vendosjen e eksplozivit në pronën e të atit. Kështu policia e Vlorës arrestoi gjatë mbrëmjes së kësaj të diele në zonën e Lungomares, 35-vjeçarin Ervis Osmënaj, banues në Vlorë.

I riu ishte shpallur në kërkim pasi më 30 mars, dyshohet se ka vendosur eksploziv në oborrin e banesës së babait të tij Frederik Osmënaj 61 vjeç. Sakaq, ndaj tij rëndon edhe një vepër tjetër penale si “Dhuna në familje”, pasi bazuar në kallëzimin e dhënë nga vjehrra e tij, ky i fundit ka ushtruar dhunë fizike ndaj vajzës së saj më 9 mars.

Kujtojmë se shpërthimi në banesën e të atit ndodhi në lagjen “Rilindja” të qytetit bregdetar, ndërkohë që dyshohet se gjithçka ka ndodhur pas një konflikti për motive pronësie. Gjithçka pasi pranë banesës së tyre kishin një lavazh, dhe konflikti mendohet se ishte rreth tij. Kështu Ervisi hodhi një sasi të vogël tritoli, si shenjë kërcënimi.

Fatmirësisht, si pasojë e shpërthimit nuk pati persona të lënduar, por vetëm disa dëme materiale. Lënda plasëse ishte hedhur në oborr, në një hapësirë mes banesës dhe lavazhit.