Nga Mero Baze

Edi Rama ka mundur të gjej çelsin e përfshirjes në dialog me studentët, jo nëpërmjet studentëve luajalë, siç tentuan ta kompleksojnë, duke etiketuar çdo student që do dialogun, si FRESH-ist, por duke u përballur me ata më agresivët, që kanë dhe frymëzim politik opozitar. Rasti i Vlorës që ka entuziazmur aq shumë opozitarët, është gjëja e duhur që ka bërë.

Problemi kryesor që duket se kishte dialogu me studnetët ishte profili i Ramës. Agresiv, i qartë se në çfarë kënete është zhytur Universiteti publik dhe mbi të gjitha i interesuar ta zhbëj atë pellg, ai e nisi dialogun si prokuror dhe po e vazhon si avokat e herë herë si i akuzuar.

Takimi i sotëm në Vlorë nuk vlen aq shumë për të sqaruar ndonjë hall konkret të universitetit, se sa tu mbush mendjen studentëve militantë, se ata kanë leje dhe ta fyejnë kryeministrin. I riu i futur nga Kokdhima në atë debat, mund të kthehet krenar tek “zgjidhja”e tij. Të tjerë që kanë plane të ngjashme po ashtu.

Ndryshimi drastik, vjen nga fakti se ata kanë përballë një kryeministër të prekshëm, një kryeministër që mund ti flasin dhe pa edukatë, që mund ta fyejnë dhe ti flasin dhe për legjenda urbane të qytetarit digital.

Kryeministri I këtij vendi është i dënuar të përballet me probleme të tilla, pasi është i dënuar të përfshijë në një dialog real, ata që po spekullojnë me problemet e vërteta të Univeristetit. Pastaj gjykimin e ka publiku.

Beteja populiste për të mos zgjidhur problemin e Universitetit, por për të kënaqur epshet e impotentëve politik opozitarë të Shqipërisë, tashmë ka përballë një njeri që ua bën të mundëshëm, realizimin e ëndërrës së tyre. Edi Rama ua mundëson këtë. Dhe për të gjithë ata që mendojnë se ky është problemi I tij dhe triumfi i tyre, është një shans të ndjehen të gëzuar, por jo të fituar.

Qëllimi final I këtj procesi, është që studentet të flasin, të revoltohen, biles dhe të përdoren politikisht, për të bërë të ndjehet dhe opozita e përfaqësuar. 

Edi Rama ua mundësoi këtë dhe tani publiku ka shansin të verifikoj vet problemet e universitetit dhe problemet e opozitarëve që po tentojnë të keqpërdorin disa të rinjë.

Steka me të cilën nisi Rama dialogun ishte e lart, arrogante dhe nxiste largimin nga debati. Të bërit i prekshëm, i sulmueshëm, i debatueshëm dhe mbi të gjitha dhe i sulmueshëm personalisht, është një rrugë më e mirë.

Shqipëria nuk ka nevojë për kryeministra të cilët vrasin, nëse u del përballë dhe i “zhburrëron”, apo të të numurojnë dhe dashnoret e gjyshes, nëse përballesh me ta sikundër bënte Berisha. Shqipëria ka nevojë të dëgjoj ku është problemi dhe tani jemi të qartë, se problemi nuk është vetëm në atë çfarë politika I ka bërë Universitetit, por dhe në atë dramë të madhe, se çfarë mund ti bëj ky biçim arsimimi universitar, të rinjëve tanë. Pamja është e qartë. Fjalori I studentëve, kapaciteti kulturor I tyre, që herë shkëlqen nga inteligjenca, e herë të frikëson nga varfëria, janë problemi real i asimit tonë universitar.

Të rinjë që kanë harruar të flasin dhe me prindërit e tyre, por dhe politikanë që kanë harruar, se të rinjtë kanë ëndra, po përballen me njëri tjetrin, në një fushë të panjohur më parë në skenën politike shqiptare.

Studentët sot janë mishërimi I vërtet I viktimizimit që politika i ka bërë arsimit, dhe e meritojnë të përfaqësojnë frymën reale opozitare në Shqipëri, dhe kur janë të indoktrinuar prej opozitës zyrtare, edhe kur e përçmojnë opozitën atë. Ata mbartin në ADN e tyre, gjithë problemet që politika i ka shkaktuar brezit të ri në Shqipëri, që nga pasiguria dhe mungesa e prespektivës, deri tek niveli mjerushëm kulturor, dhe artikulimi populist.

Qeveria edhe pse nuk është fajtore për gjithçka, është përgjegjëse për gjithçka, pasi ka fatin e keq të zgjidh një problem që trashëgohet prej vitesh.

Përpunimi I një platforme zgjidhjeje për universitetin, është detyrë e saj dhe përfshirja e studentëve në këtë debat, qoftë dhe me akte ekstreme, është rruga e duhur. Kryeministri i një vendi nuk ka pse ndjehet i fyer nga sulmet e studentëve, ai duhet të ndjehet i fyer, nga mjerimi i tyre financiar dhe intelektual, dhe pasiguria e tyre për të ardhmen. Ai është votuar për këtë gjë dhe këtë gjë duhet ta zgjidh. 

Heronjtë e sallave dhe shesheve  kundër tij, i bëjnë nder shoqërisë, pasi e qartësojnë atë më shumë se çdo manipulim tjetër populist që frymëzohet nga dëshira, që dështimi të triumfoj mbi zgjidhjen.

Ata që refuzuan në fillim dialogun, janë të lirë të pranojnë triumfin e tyre mbi kryeministrin, për ta kuptuar të gjithë me kë kemi të bëjmë. Edi Rama mund të mos e zgjidh dot deri në fund problemin e kënetës universitare në Shqipëri, por së paku duhet ti njohim meritën që të na ballafaqoj të gjithëve me të. Dhe po e bën pikërisht tani duke u bërë i prekshëm, I cënueshëm, I mundshëm dhe mbi të gjitha larg çdo përfytyrimi,… I dëgjueshëm. Me shpresë që do ta ruaj këtë profil të tij, jo si mbijetues i një proteste populiste, por si zhbërës i një populizmi që tenton të mos zgjidh problemin e Universitetit.