Nga Anri Bala

Shumë nga të përndjekurit e të përgjuarit e sistemit komunist, ndoshta ishin lehtësuar sadopak, kur “Shtëpia e Gjetheve” u kthye në një relike muzeale, e që kurrë nuk do të mund të rigjallërohej nga spiunët me pagesë dhe nënspiunët pa pagesë. Mirëpo, një gjë s’do ta besonin kurrë, se ajo mund të ringjallej përsëri nga ata, që i kanë besuar dhe i kanë votuar vetë… urithët e nëntokës politikë. Tanimë, e kanë Shtëpinë me gjethe, por me një ndryshim, jo në buzë të rrugës… por në buzë të llumit Lanë!

Kjo do ndodhte, përderisa në krye të shtëpisë së tyre, u vendos “hjeksi” i Shtëpisë së Verdhë, që me aq fuqi sa kishte, deshi ta kthente Shqipërinë si shtëpi e zezë, ku u nxirrej zemra dhe mushkëritë robërve të luftës, në mes të fshatit, e njerëzit qeshnin e gëzonin, se ishin armiq dhe megjithatë prej tyre edhe po fitonin. Natyrisht që kjo ishte një shpifje e ndyrë dhe makabre… një njollë e zezë për një komb dhe për një lufë. Më dridhet trupi kur e mendoj, si mundet një njeri, për më tepër shqiptar, të arrinte deri aty, sa të bëhej “hjeksi” i atyre, që donin të “nxinin” luftën dhe luftëtarët e lavdishëm të UÇK-së, duke pranuar tu shërbente, për t’i gjykuar dhe akuzuar si të barabartë, me kriminelët e luftës së kombësive sllave?!

Por nuk ndodhi, prokurorja e zezë Karla del Ponte dështoi! Asnjë Shtëpi e Verdhë nuk kishte ekzistuar, asnjë krim nuk ishte kryer kundër robërve të luftës, e asnjë komandant nuk u gjykua si kriminel, e lufta ngeli e pastër, ashtu siç ishte… heroike! Por, njerëzit nuk ngelën ashtu siç ishin: Karla u akuzua dhe u gjykua, kurse “hjeksi” u gradua dhe u promovua në Shqipëri, duke mos e harruar vesin, nga tregues, bashkëpunues dhe shpjegues… në drejtues! Duke hapur Shtëpinë e re të Gjetheve… SHQUP, ai edhe njëherë vërtetoi thënien e popullit: Vesi vdes me shpirtin!

Tashmë kujdes, ruhuni kur të kaloni pranë stolave të Lanës, apo kur uleni në ndonjë lokal buzë detit në Vlorë! Madje bëni kujdes edhe kur protestoni, sepse mund t’iu bëjnë viktima, për të patur se çfarë të raportojnë agjentët, që kryeagjenti të mos i djeg çdo javë. Historitë e agjentëve të tij, ndoshta do tu duken të pabesueshme, por janë të lakmushme, për cilindo që ka ambicje poshtërsinë.

Agjentin Olldashi, pasi bëri përgjimet, investigimet, fotografimet, e dogji duke e kthyer në gazetar… që nuk e njihte askush, por tashmë u rrit dhe portali bashkë me emrin e tij u “fuqizuan”, fal Shtëpisë së Gjetheve që ka veti të veçanta… të shpërblen dhe të heq qafe.

“Agjentin” italian, Dario De Luca, i mirëpaguar për të dhënë lajme sa më të rëndësishme, e dekonspiroi dhe menjëherë e ktheu në gazetar të rëndësishëm në Shqipëri, sepse portali ku ai punon në dhomën e gjumit me të shoqen, ndiqej nga 350 vetë, ndërsa sot në Catania, agjentin e përgjimeve të Shtëpisë SHQUP, e ndjekin 45000 vetë, e kjo është një endërr e madhe.

Agjenti i tretë, i përhershëm, me “video shkatërrimin”, që tregon “luftën e tij titanike” për të mbrojtur protestuesit nga policat e fshehur, u kthye në “viktimë”. Pas plagëve dekorative të domosdoshme, që mori nga regjizori, që nuk e kuptonte, se si e zbuluan që edhe ai ishte “agjent”, ai shpejtoi të kthehej në… gazetarë.

Pas kthimit, agjenti Kasmi kërkoi të drejtat e tij të dhunuara, mirëpo u gëzua kur e takoi kryeagjenti, që i tha se i’u bë një nder i madh: Të rizgjuam, e të tjerët, të kujtuan, sepse kishte kohë që të kishin harruar.

Kurse sot, kryeagjenti Lulzim Basha, e plasi bombën për Shtëpinë e gjetheve SHQUP. Nga informacionet e “sigurta”, prej agjentëve të tij në zyrat e antimafies së shtetit fqinj, ishte plotësisht e “vërtetuar”, se Kryeministri, Kryeprokurorja dhe Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, si “mafioz” kishin kapur dhe drejtonin, edhe strukturat e policisë italiane. Babalja si hero, e bashkë me të edhe ndonjë Babole, do përfundojnë në pranga, sepse sipas agjentëve, Babale-përgjimi do rezultoi ashtu siç duan “tre mafiozët” e rëndsishëm, shantazhues, i sajur dhe mashtrim?!

Njerëzit u tallën dhe nuk e besuan sërish, kryeagjentin ish “hjekës”, bile menduan, se ky i shkreti tashmë është duke i dhënë lamtumirën vetëdijes, por gabojnë! Shumë shpejt, do shikoni ndonjë agjent të radhës, të maskuar si gazetar, andej nga Roma apo Milano, si punonjësi i portalit Pianetta.it, i vetmi padekonspiruar akoma, por që mbetjet me mijëra kontener dhe naftën drejtë Rusisë… e ka “parë”!

Tani, edhe ai po e hap portalin, që nuk ka ekzistuar kurrë dhe kjo tregon, se sa e shpërblyer është puna kur i shërben një kryeagjenti të sofistikuar, që fshihet nën veladonin e priftit politik, që jeton me shpifje dhe poshtërsi dhe jo me predikime dhe lutje për vete, për të shpëtuar sa të mundë, nga ajo që i ka mbetur. Shtëpia e Gjetheve SHQUP, tashmë do ketë fundin e Shtëpisë së Gjetheve të rëna, të Gazidedes dhe kryeagjenti nëse shpëton edhe kësaj radhe, vështirë se do të mund të maskohet!/Ekskluzive.al/J.J