Taulant Balla ka zbuluar një detaj interesant në lidhje me Lulzim Bashës sa i përket raporteve të tij me pronarin e kompanisë “Victoria Invest”, të cilën ai e akuzon në lidhje me projektin e Unazës së Madhe.

Balla tha se jo rastësisht, vajza e Lulzim Bashës e kishte emrin Viktoria, ashtu si edhe kompania, pronari i të cilës ka qenë kumbari i të voglës së kreut të opozitës. Deputeti socialist tha se kishte një dosje për këtë, por nuk dha më detaje të tjera.

Por, si është kjo histori? Ccfarë lidhje ka Lulzim Basha me kompaninë “Victoria Invest”?

Albeu.com mëson se lidhja e Bashës me familjen e njohur Kuçi në Elbasan, me origjinë nga Kosova është forcuar gjatë vitit 2008-2009 kur edhe Lulzim Basha ishte caktuar kreu i listës së qarkut të Elbasanit.

Ata e mbështetën Bashën në fushatën e tij nisur edhe nga kontaktet e këtij të fundit në Kosovë, ndërsa gjatë asaj periudhe kanë fituar një numër të madh tenderësh të mëdhenj, siç është ai i ndërtimit të rrugës Qukës Qafë Plloçë.

Nga ky raport i ngushtë, Basha i kërkoi Fatmir Kuçit që të ishte kumbari i vajzës së tij duke ia vendosur edhe emrin Viktoria, të njëjtë me emrin e kompanisë së fuqishme me rrenjë në Kosovë.

Është pikërisht kjo histori, të cilën Balla iu referua sot.

Lulzim Basha e sulmon kompaninë “Victoria Invest” sa herë ka mundësi kur shkon tek banorët e Unazës së Re, ndërsa nuk dihet cili është sot raporti i tij me pronarin e kësaj kompanie.