Shqipëria është mbase vendi i vetëm në botë, ku historia e transportit ajror ka qenë më serioze dhe e lavdishme 100 vjet më parë se sa sot. Madje jo ajo e transportit ndërkombëtar, por transportit të brendshëm ajror në Shqipëri. Avionët e parë u shfaqën në Tiranë në vitin 1916, gjatë Luftës së Parë Botërore, dhe i takonin forcave ushtarake Austro – Hungareze.

Ata u ulën në vendin ku sot është Hotel Dajti, ndërsa Kulla e Sahatit u improvizua si kullë komande. Prej aty ndërmorën disa inkursione ajrore në jug kundër forcave italiane. Pak a shumë po në këtë kohë, mbërritën në Vlorë avionët ushtarakë Italiane që uleshin në vendin që sot njihet si zona e Auroportit. Të dyja palët u përdorën thjeshtë për qëllime ushtarake.

Më 1917, forcat ajrore Franceze stabilizuan linjën Selanik – Korçë, që fluturonte për qëllime ushtarake, por edhe transport civilësh të autorizuar. Më 1920, Avni Xhaxhuli, një shqiptar i diplomuar në Turqi si pilot, u mundua të ndërtojë një bërthamë ajrore ushtarake me dy avionë që kishin ngelur në Vlorë pas largimit të italianëve.

Siç dëshmohet në shtyp, ai fluturoi me një prej tyre mbi Tiranë nga aerodromi i Shallvares. Por kjo nuk u përsërit më. Në vitin 1922 qeveria shqiptare bleu disa avionë për përdorim të brendshëm, por për shkak të keqpërdorimeve, nuk arritën të fluturonin.

Në gjysmën e dytë të vitit 1924, Qeveria e Fan Nolit vendosi të japë me koncesion fluturimet e brendshme në Shqipëri, pas një kërkese të bërë nga shoqëria gjermane Lufthansa. Letra e kërkesës drejtuar Ministrisë së Punëve Botore dhe Bujqësisë së asaj kohe, që u publikua për herë të parë në Opinion, daton saktësisht në 18 nëntor 1923, dhe sqaron edhe arsyet që e shtynin Lufthansën ta bënte këtë.

Sipas letër-kërkesës, me qëllim përkrahjen e zhvillimit të tokës Shqyptare, por edhe formimi i një shoqërie ndërkombëtare transporti ajror të personave, postës, por edhe mallrave, nevojitej pjesëmarrja shqiptare. Në nëntor të vitit 1924, 1 vit pas kërkesës, qeveria e atëhershme shqiptare mori vendimin të nënshkruajë marrëveshjen, me vlerë 10 vjet.

Në bazë të kësaj marrëveshje konçensionare, u krijua shoqëria ajrore shqiptare me emrin “Adria Aero Lloyd”, baza e së cilës ishte gjermane. Në kontratë pasqyrohen specifikisht se si do të procedohej me postën ajrore, duke filluar që nga pesha që mund të transportojë, rastet e humbjeve të postave, tarifat, po ashtu informacion dhe për pullat që do të vendoseshin, dhe se si do të ndaheshin të ardhurat që vinin nga shitja e tyre.

Qeveria e atëhershme do të vinte në dispozicion të Shoqërisë “Adra Aero Loyd” falas hangaret e Tiranës dhe Vlorës, që do të shërbenin për ngritjen dhe zbritjen e avionëve. Gjithashtu merrte përsipër që të jepte falas edhe vende të tjera që do i nevojiteshin për shërbim. Në mbarim të koncesionit, shoqëria do t’ia rikthente përsëri qeverisë këto toka. Kontrata bëhej e vlefshme nëse shoqëria i dorëzonte një peng prej 5000 franga ari në arkën e shtetit, e kjo shumë do t’i rikthehej përsëri pasi të bëntë intenerarin e parë të saj, në të kundërt kontrata ishte e pavlefshme.

Si fillim shoqëria Gjermane “Adria Areo Lloyd”, pasi lidhi kontratë me Qeverinë Shqiptare do të sillte nga Gjermania dy avionë civilë për të nisur udhëtimet. Fluturimet e para nisën nga fusha e shallvareve, që më saktësisht, bie aty ku sot është ndërtuar Piramida. Fluturimi i parë u realizua në prill të vitit 1925 në linjën Tiranë – Vlorë. Nga meraku për të mos pasur asnjë lloj incidenti Ministria e Punëve të Brendshme njofton Prefekturën e Korçës që të jetë në dije dhe të lajmërohen edhe qytetarët për këtë gjë.

Dy ditë më pas, nisën fluturimet në linjën Tiranë – Shkodër dhe Tiranë – Korçë. Në të tre këto qytete aeroportet qenë trashëguar nga Lufta e Parë Botërore. Në kontratën që qeveria kishte lidhur me “Adria Aero Lloyd”, kompania duhet të realizonte të paktën dy fluturime në javë, me ose pa udhëtarë. Tarifat e biletave të udhëtimit, në 6 vitet e para kompania ajrore ishte e lirë t’i caktonte vetë. Pas vitit të 6-të, ishte qeveria shqiptare ajo që do të caktonte tarifën.

Prej prillit të vitit 1935 e deri në nëntor të po këtij viti, “Adria Aero Lloyd” raporton se janë kryer 337 fluturime. Janë transportuar 700 persona, 742 kg postë, dhe 618 kg mallra të tjera. Në vitin e saj të parë, kompania do të shërbente vetëm ndërmjet qyteteve Shkodër, Tiranë, Korçë dhe Vlorë. Pas vitit të parë shtrirja do të bëhej dhe në qytete të tjera.

Në Gusht të vitit 1927, shoqëria “Adria Aero Lloyd” u ble prej zyrës së Aviacionit Civil të Trafikut të Ministrisë së Ajrit të Italisë. Institucioni zgjeroi fluturimet në drejtim të Elbasanit, Korçës, Peshkopisë e Gjirokastrës, dhe u hapën linja ndërkombëtare me Romën, Milanon, Selanikun, Sofjen, Beogradin, Podgoricën.

Në vitin 1934 filluan punimet për ndërtimin e Aeroportit të Tiranës. I vendosur në zonën e Laprakës, që njihet edhe sot me emrin Fusha e Aviacionit, ai ishte një ndër aeroportet me moderne në Ballkan. Ky aeroport , i cili mori emërtimin zyrtar Aeroporti i Tiranës, u ndërtua sipas parametrave optimalë teknologjikë të kohës, me pistë asfalto-betoni me dimensione 1200 x 400 m, shoqëruar me pajisje teknike e ndërtesa të përshtatshme.

Në këtë periudhë, Shqipëria rezulton si ndër vendet e rralla në botë që kishte më të zhvilluar transportin e brendshëm ajror sesa format e tjera të transportit. Gjatë luftës së Dytë Botërore, Gjermanët kishin nevojë për një pistë të re pasi ajo e Aeroportit të Tiranës ishte bombarduar nga aleatët dhe si e tillë nuk mund të përdorej më. Ata gjetën një terren të përshtatshëm në Rinas, prej nga nisën fluturimet luftarake. Po në atë fushë, në vitet 1955 – 1957, Qeveria Komuniste vendosi të ndërtojë Aeroportin e ri të Tiranës, e cila vijon të funksionojë edhe sot.

Pas përfundimit të koncesionit me Aero Loyd, Shqipëria do të lidhte në vitin 1935 një kontratë me kompaninë italiane Ala Littoria. Njësoj si kontrata e parë e koncesionit, edhe kjo do të merrte të drejtën e shërbimit të aviacionit civil shqiptar për 10 vjet, deri në 31 dhjetor 1945.

Ala Littoria do të vazhdonte shërbimin ajror në qytetin e Shkodrës, Tiranës, Vlorës, dhe Korçës veç vendeve të tjera. Në fletoren zyrtare thuhet se tarifat për udhëtarët vendoseshin nga vetë kompania por nën mbikëqyrjen e Qeverisë. Qeveria vendoste në dispozicion falas shoqërisë në të gjithë kohën e koncesionit, hangarin e aviatës në Vlorë, vendin e zbritjes në Shkodër, dhe të gjitha stacionet e nevojshme për ushtrimin e shërbimit ajror.

Në vitin 1939 filluan punimet në Aeroportin e Tiranës për hangarin e ri dhe zyrat e pritjes së Ala Littoria. Kompania kishte detyrim të paraqiste iteneraret dhe oraret në kohë. Në fletëpalosjet e kohës, bëhen të ditura edhe tarifat. Cmimet më të ulëta ishin të itenerareve Gjirokastër-Vlorë dhe Shkodër-Tiranë, dhe kushtonin 10 franga ari, që sot përkthehen afërsisht në 100 euro. Më të shtrenjtat ishin linjat ndërkombëtare.

Për shembull, nga Tirana në Athinë bileta kushtonte 67 franga ari, nga Tirana në Romë 70 franga ari. Më e shtrenjta ishte bileta e linjës Tiranë-Trieste e cila kushtonte 86 franga ari, ose afërsisht 860 euro me kursin e sotëm. Në varësi të udhëtarëve, kishte edhe zbritje deri në 30%. Historia e linjave të brendshme në Shqipëri vijoi nga 30 Prilli i vitit 1925 deri më Shtator 1944. Pas kësaj date, transporti i brendshëm u ndalua edhe pse aeroportet e gjithë qyteteve, u ruajtën deri në fillim të viteve ’90 – të kur u rrënuan ose u mbushën me ndërtime. Në vitin 1995, u bë një përpjekje e fundit me një avion pesë vendesh nga një pilot Britanik për të instaluar një linjë Tiranë – Sarandë, por ajo vijoi vetëm 8 muaj dhe u detyrua të mbyllet. Sot, Shqipëria është nga të paktat vende në botë që nuk ka linja të brendshme, një shërbim që e kas pasur 94 vjet më parë.