Ramush Haradinaj ka ndërruar mendje.

Ai i ka dërguar një letër presidentit Hashim Thaçi dhe partive opozitare, ku iu bën të ditur dorëheqjen e tij, por ndryshe nga sa deklaroi më parë, do të qendrojë kryeministër deri sa të krijohet qeveria e re.

Pra, do të shkojë nesër në Hagë për t’u marrë në pyetje nga Gjykata Speciale si kryeministër i Kosovës, jo siç deklaroi të premte, si një njeri i lirë, që nuk përfaqëson asnjë institucion të Kosovës.

“Sot, përmes një letre, i kam njoftuar krerët e institucioneve dhe liderët e partive politike të përfaqësuara në Kuvend, për vendimin e dorëheqjes sime të parevokueshme nga funksioni i Kryeministrit të Republikës së Kosovës.

Në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet e aplikueshme, kam ftuar që të ndërmerren hapat e nevojshëm për shpalljen e zgjedhjeve të përgjithshme nacionale, në mënyrë që e drejta për të zgjedhur t’i kthehet sovranit.

Deri në zgjedhjen e Qeverisë së re, do të vazhdoj kryerjen e detyrave kushtetuese si Kryeminister dhe Qeveri në dorëheqje”, shprehet ai.

Sa i përket zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, jo-zyrtarisht raportohet se ato do të zhvillohen më 8 shtator.