Ideja për korrigjimin e kufijve-shkëmbimin e territoreve është njëra nga temat më të përfolura muajt e fundit në Kosovë dhe duket se kjo ide e hedhur nga presidenti i Kosovës Hashim Thaçi është bërë mollë sherri në marrëdhëniet dhe mospajtimesh mes presidentit dhe kryeministrit Ramush Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj, në një intervistë për RTK2 në gjuhën serbe ka thënë se mendon se kjo që po ndodh tani është pasojë e asaj se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka shkuar në drejtim të gabuar.

“Tash po flitet për gjithçka, kurse ne e dimë se askush nuk është i lumtur me këta kufij në Ballkan. Secili vend në Ballkan do të ndryshonte diçka. Hapja e çështjes së kufijve do të hapte të kaluarën, gjë që nuk është në rregull dhe unë jam njëri nga ata që e kam përjetuar këtë, si edhe familja ime, prandaj kurrë nuk do të doja që këtë ta përjetojnë as shqiptarë, as serbët dhe askush tjetër. Nuk i kuptoj lojërat rreth kësaj. Kjo është një lojë e ndyrë nga kushdo që është i implikuar në të”, tha Haradinaj.

Më tej, kryeministri ka thënë se nuk do të vijë deri te ndryshimi i kufijve.
“Të gjithë ata që janë seriozë dhe mendojnë për stabilitetin e Ballkanit nuk do të hynin në një lojë të tillë të ndytë, sepse e dinë çka do të thotë kjo. Stabiliteti i Ballkanit është i rëndësishëm për Amerikën dhe Evropën, e vetmja ndoshta Rusia do të ishte e interesuar për ndonjë kaos, por kjo nuk do të ishte mirë për askënd. Veçmas jo për neve që jetojmë këtu”, tha kryeministri.

Haradinaj duke folur për raportet e tij me partnerin e koalicionit, Listën Serbe, thotë se në prishjen e raporteve mes tyre janë disa çështje që nuk kanë qene pjesë e marrëveshjes mes tyre e që kanë të bëjnë me politikën rajonale, e cila udhëhiqet në Prishtinë dhe Beograd dhe më tutje “Sikur të varej gjithçka vetëm nga ne, unë do të respektoja atë për të cilën jemi marrë vesh, unë nuk kam shkelur asgjë”.

“Mendoj se fati i tyre [Listës Serbe] është në duart e Vuçiçit, i cili nga ai kërkon se si të veprojnë. Besoj se Beogradi do ta sakrifikonte Listën Serbe dhe liderët serbë në lojën rreth ndarjes. Presidenti Vuçiç dëshiron ta rrëzojë qeverinë time, sepse nuk po e përkrah ndarjen. Kjo do të thotë se ndoshta disa do të kishte partner në Kosovë, por nuk besoj se ky është qëndrim i Listës Serbe, sepse nuk janë të gjithë [serbët] nga veriu, disa janë edhe nga pjesa qendrore e Kosovës”, tha Haradinaj.