Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj ka zhvilluar një takim pune me ambasadorët dhe diplomatët finlandez në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Gjatë këtij takimi, kryeministri Haradinaj ka ritheksuar se duhet të përshpejtohet hyrja në agjendën e BE-së çështja e liberalizimit të vizave.

Haradinaj deklaroi se me qëndrimin e qartë të Gjermanisë, jemi të bindur se edhe Finlanda do të jetë në krah të vendit tonë për ta përmbyllur këtë proces në afat optimal.

“Me marrjen e kryesimit të Këshillit të BE-së nga 1 korriku i këtij viti, besojmë fuqishëm se shteti mik, Finlanda, do të vazhdojë të jetë zë i Kosovës në strukturat e Bashkimit Evropian. Mëngjesin e sotëm kam zhvilluar takim pune me ambasadorët dhe diplomatët finlandez në rajonin e Ballkanit Perëndimor, me qëllim të informimit të drejtë dhe të hollësishëm për hapat konkret të Qeverisë për fuqizimin e sundimit të ligjit, zbatimin e reformave të gjithëmbarshme dhe agjendën evropiane të Kosovës.

Kam ritheksuar, se duhet të përshpejtohet hyrja në agjendë të BE-së çështja e liberalizimit të vizave, si një proces i pakthyeshëm, i merituar dhe i drejtë. Me qëndrimin e qartë të Gjermanisë, jemi të bindur se edhe Finlanda do të jetë në krah të vendit tonë për ta përmbyllur këtë proces në afat optimal”, shkruan Haradinaj.