Kosova ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm për të qenë partner i ri ekonomik në tregun botëror dhe institucionet e vendit janë të përkushtuara në zbatimin e këtyre politikave në të mirë të ekonomisë së vendit. Kështu tha kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, pasi priti sot në takim anëtarin e Bordit të Forumit të Sigurisë në Halifax dhe Drejtor Ekzekutiv i Çalik Holding, Ahmet Taçyildiz.

Kryeministri Haradinaj e informoi Taçyildiz për proceset që po kalon Kosova, me theks të veçantë, për progresin e po ashtu edhe angazhimin e Qeverisë në fushën e sigurisë dhe ekonomisë së vendit. “Kam kënaqësinë që sot t’iu pres këtu në Qeveri dhe po ashtu t’ju njoftoj se Kosova edhe pse si një shtet i ri, ka kontribuar shumë që të jetë një faktor i paqes në Ballkan dhe Europë, dhe nuk ka dyshim se kështu do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Kjo është edhe një garancë karshi investimeve të huaja dhe orientimit tonë për zhvillim ekonomik të vendit”, u shpreh kryeministri Haradinaj.

Haradinaj e njoftoi për të gjitha të arriturat e vendit sa i përket përmbylljes së infrastrukturës ligjore sa i përket të bërit biznes. “Me ligjin e ri për investime strategjike, ne kemi ndërmarrë veprime të nevojshme sa i përket garantimit dhe stimulimit të investitorëve të huaj. Aktualisht po presim që të avancojmë me interesimin që kanë bërë 11 kompani me kapital prej 1.8 miliardë eurosh investime dhe jemi të përkushtuar që të ofrojmë shërbimet dhe lehtësirat institucionale edhe për investitorë të tjerë”, tha Kryeministri Haradinaj. Sipas një njoftimi të Qeverisë, në këtë takim u përmend edhe potenciali që ka Kosova për tërheqjen e investimeve të huaja, veçmas në fushën e energjisë dhe minierave.