Nga Mero Baze

Nuk është hera e parë që na vjedhin në Rinas. Së paku ky tipi që vdiq, na ka vjedhë nja tre herë dhe se kemi kapur dot, edhe pse ka jetuar afër aeroportit në shtëpi goxha të mbajtur. Nuk është hera e parë as që hajdutët ikin me lekët e bankës me vete.

Nuk ështe hera e parë që Berisha thotë se këto lek I vjedh Edi Rama për fushatë elektorale. Nuk është hera e parë që kemi disktuar për sigurinë e aeroportit të Rinasit, ku nuk të lejojnë të kalosh një shishe uji, por mund të kalosh me furgon për në pistë. Nuk është hera e parë që hapet dhe diskutimi se kush humbet nga kjo vjedhje, pasi lekët janë të bankave, bankat janë të siguruara etj etj,.

Nukështë hera e parë që flet dhe Bujar Nishani për çështje të tilla. Nuk është hera e parë që Ilir Meta flet për sigurinë kombëtare, sa herë humbasin lek. Por është e para herë që hajduti bëri një punë të mirë që së paku Lulzim Basha duhet tia dij për nder. Dhe duhet ti jetë mirënjohës.

Dje për PD dhe Lulin nuk ishte ditë e zezë se u vodhën lekët në Rinas, se ajo ishte kthyer në punë rutinë për atë tipin që u vra. Dje për PD ishte ditë e zezë pasi mori një nga shuplakat më të forta, dërrmuese dhe të pashpresa për të për të ardhmen e aktit më të papërgjegjshëm të saj, atë të djegjes së mandateve. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e trajtuan PD si një një parti të vetvrarë dhe të dorëzuar, që nuk ka punë më me sistemin politik në Shqipëri dhe u bën thirrje shqiptarëve të shikojnë përpara drjet zgjedhjeve të radhës me ato forca politike që duan të marrin pjesë.

Sot edhe Raportuesi për Shqipërinë në PE, Knut Fleckenstein, përshëndeti qëndrimin amerikan dhe tha se Bashkimi Evropian është I të njëjtit qëndrim. Në çdo kohë tjetër, debatet televizve, apo shtypi që jetojnë me politikë, natyrisht që do të fokusoheshin tek ky zhvillim.

Por në fakt më shumë se hajduti I Rinasit, PD e ka shpëtuar kontrolli mbi zhurmuesit televiziv të paneleve, të cilët dje në mbrëmje, në një debat gati kriminal, harxhuan orë të tëra të gjenin se kush polic mund ta kishte vrarë hajdutin. Një kërkonte tu bëhej ekspertizë armëve të policëve, tjetri të publikohej lista e policëve, të tjerë që dyshonin se mund ta kenë vrarë shokët. Dhimbsuria ndaj të vrarit kaloi çdo limit, dhe dukej se zhurmuesve të panelit, nuk u ikej në shtëpi, sa ta gjenin se kush dreqin e vrau hajdutin.

Sot debati po vazhdon. Më shumë anojnë nga teza që e kanë vrarë shokët. Kjo në fakt është paksa më çliruese pasi policët e “Reneas” janë më të qetë. Kanë filluar dhe ironitë për debatin me konçesionarin kinez dhe PD është gati ti dal zot dhe Kinës pas Rusisë.

Por për ato që tha zoti Palmer, në emër të SHBA, dhe Knut Fleckenstein, në emër të BE, nuk ka asnjë fjalë. Në fakt ata kanë vrarë në mes të Tiranës papërgjegjësinë e opozitës shqiptare, kanë egzekutuar realisht kryetarin formal të PD, Lulzim Basha duke e injoruar aktin e tij prej kamikazi dhe u kanë bërë thirrje shqiptarëve të mos e kthejnë kokën nga ai, por të ecin përpara.

Kjo deomos që është një vrasje shumë më e rëndësishme se e atij hajdutit të bankave. Por Lulit I bëhet gjithmonë kismet një hajdut tjetër që bëhet kurban për të. Këtë radhë ishte ky I Rinasit. Vërtet na mori lekët, por na shpëtoi Lulin nga debati për vetvrasjen e tij.