Pas konferencës për shtyp, Loredana Zefi ka vijuar jetën si zakonisht duke aktivizuar edhe komentet në Instagram. Përveçse paralajmëroi videoklipin e ri, Loredana u rikthye me postime të reja fotosh në profilin e saj. Një prej të cilave, është kjo foto ku ka veshur një xhaketë lëkure Louis Vuitton. Natyrisht, pas akuzave për zhvatjen e jo pak, por 900 mijë frangave që rëndojnë ndaj saj, ndjekësit nuk qëndruar indiferentë ndaj markës së dukshme në veshjen e reperes.

“Petra ta ka blerë xhaketën?”, komentoi një ndjekës, duke iu referuar kështu 53-vjeçares zvicerane Petra Z., e cila e ka denoncuar Loredanën dhe vëllanë e saj për mashtrim dhe kërcënim. Loredana jo vetëm i ktheu përgjigje ndjekësit, por vendosi ta shpërndajë përgjigjen e saj në Instastory, si reagim për gjithë ata që e akuzojnë se veshjet e shtrenjta i ka blerë me mashtrime.

“E kam blerë falë klikimeve tuaja në Spotify”, ishte pergjigja e Loredanës.

Gjithashtu, ajo shton: “Jam këtu ku jam falë jush. Çdo Louis, Gucci, makinë apo orë, ju e keni bërë të mundur ta kem.” Në konferencën për shtyp zhvilluar të premten, Loredana u shpreh se asnjë nga paratë e palës akuzuese nuk janë marrë me forcë. Sipas Loredanës, Petra Z dhe bashkëshorti i kanë dhënë me dëshirë. Ajo u shpreh gjithashtu se nuk ka qenë e përfshirë në skemë, duke ia lënë kësisoj fajin të vëllait.