Tirana ka nisur fazën përgatitore, por çuditë në këtë skuadër nuk kanë të sosur. Gjithsesi, te Tirana dihet që janë origjinalë dhe gjejnë forma të reja organizimi. Këtë herë skuadra nuk ka udhëtuar drejt Turqisë, siç bëri janarin e shkuar, por ka qëndruar në kryeqytet. Prej dy ditësh, ekipi është grumbulluar në një nga hotelet e kryeqytetit ku po pushon, ndërsa paradite dhe pasdite skuadra zhvendoset nga Sauku në “Skënder Halili” për t’u stërvitur.

Shumë mirë që është grumbulluar, por klubi nuk ka zgjidhur transportin e lojtarëve. Për dy ditë rresht, futbollistët kanë udhëtuar me makinat e tyre nga hoteli deri në fushë dhe anasjelltas. Nuk kuptohet sjella e klubit, që mesa duket ka kursyer për të paguar një shërbim transporti me autobus të personalizuar për klubin. Një veprim që së pari i ka habitur të gjithë, pasi asnjëherë Tirana nuk ka lënë pa autobus skuadrën e saj, madje as kur luante në Kategorinë e Parë.