Pavarësisht protestave të ashpra dhe përplasjeve me forcat e ruajtjes së rendit, Parlamenti grek më në fund ratifikoi marrëveshjen e Prespës, duke pranuar emrin e ri të Maqedonisë, si Republika e Maqedonisë së Veriut. “Është një ditë historike për Ballkanin, pas historisë së tyre të gjatë me luftra, konflikte, mosmarrëveshje dhe urrejtje nacionaliste. Ne po kthejmë faqe dhe po krijojmë hapësirë për paqe, bashkëpunim, miqësi, solidaritet dhe mirëkuptim reciprok”-deklaroi kryeministri grek, Alexis Tsipras.

Lideri i opozitës ndërkohë, Mitsotakis u shpreh kështu në parlament gjatë debatit që i parapriu ratifikimit të marrëveshjes: “Linja nacionaliste e mbajtur prej dekadash tanimë po braktiset. Zoti Tsipras tha “PO”, aty ku të gjithë paraardhësit e tij kishin thënë “JO”. Ai është i vetmi që e di pse-në e kësaj, dhe ky mund të jetë fillimi i telasheve të reja”. Edhe grekët e thjeshtë duken disi të mërzitur nga marrëveshja. “Për këtë çështje kaq të madhe nuk u mbajt referendum, gjë që është negative, pasi nuk i japin rëndësi opinionit të popullit grek”-shprehet një rezident i Athinës.

“Unë mendoj se grekët janë shumë të zhgënjyer dhe të mërzitur sot. Unë skam qenë asnjëherë fanse e zotit Tsipras dhe ndihem e tradhtuar. Është një turp i madh”-shprehet një banore tjetër. “Ndihem i tradhtuar, besoj se kjo e sotmja ishte një tradhti e lartë. “Ata brenda në Parlament nuk përfaqësojnë njerëzit”-shprehet dikush tjetër.