Një shumicë e deputetëve grekë miratuan të premten në mbrëmje anëtarësimin e ardhshëm të Maqedonisë së Veriut në NATO, faza e fundit e marrëveshjes greko-maqedonase mbi ndryshimin e emrit të Republikës së vogël fqinje në Ballkan. Parlamenti grek votoi pro ratifikimit të ‘’protokollit për anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO’’, me 153 vota pro , 140 kundër dhe 1 abstenim.

‘’Dua t’i uroj mirëseardhjen Maqedonisë së Veriut, një shtet mik i Greqisë, një vend që duhet të jetë një aleat në përpjekjet tona për vendosjen e sigurisë, stabilitetit dhe paqes në rajon’’, deklaroi kryeministri Aleksis Cipras përpara deputetëve. Historia do të na gjykojë për urtësinë e vendimeve të marra. Unë besoj se ne e përmbushëm detyrën tonë patriotike’’, ishin fjalët e tij përpara votimit. Ambasadorët e 29 anëtarëve të Aleancës së Atlantikut nënshkruan të mërkurën protokollin e anëtarësimit, që do ta rendisë këtë shtet, pjesë e ish-Jugosllavisë anëtarin e 30-të të NATO-s.

Athina deri më tani kishte vënë veton për këtë anëtarësim për aq kohë sa Maqedonisë nuk do të ndryshonte emrin. Dy shtetet nënshkruan në qershor marrëveshjen e quajtur të Prespës (ose Prespa) që riemërton Ish-republikën Jugosllave të Maqedonisë (ARYM) në ‘’Republika e Maqedonisë së Veriut’’. Parlamentet maqedonas dhe grekë miratuan njëri pas tjetrit këtë marrëveshje, duke i dhënë fund mosmarrëveshjes diplomatike prej gati 30 vitesh mes dy shteteve fqinje. Sipas kushteve të marrëveshjes, deputetët grekë autorizuan anëtarësimin maqedonas në NATO dhe njoftuan Shkupin për votën e tyre.

Maqedonia e Veriut do të mundet tashmë të bëjë të ditur ndryshimin e emrit të saj në NATO, e cila do ta ratifikojë atë. Anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në NATO do të bëhet i vlefshëm me ratifikimin e protokollit nga 29 anëtarët e Aleancës. Procesi zgjati një vit për Malin e Zi në 2017. Objektivi është anëtarësimi për samitin e NATO-s në dhjetor në Londër, por Maqedonia e Veriut pritet të marrë pjesë në pozicionin e të ‘’ftuarës’’ në një takim të ministrave të Punëve të Jashtme të NATO-s në muajin prill në Uashington.