Rritet numri i prokurimeve publike të kryera me procedurë konkurruese, të hapur, përmes sistemit elektronik të prokurimeve, ndërsa ulet në masë numri i prokurimeve me procedurë negocimi, pa shpallje paraprake të njoftimit.

Kjo do të thotë më shumë transparencë në procedura dhe më shumë hapësira për konkurrencë mes operatorëve ekonomikë që garojnë për kontratat publike.

E ftuar në studion e ERTV-së, drejtorja e Agjencisë së Prokurimeve Publike, Reida Kashta, zbuloi shifrat e raportit vjetor, që provojnë se gjatë qeverisjes Rama, veçanërisht në vitin 2018 dhe në katër muajt e parë të vitit 2019, numri i procedurave të hapura të prokurimeve publike, të quajtura ndryshe procedura konkurruese, shënuan një rritje të lartë.

“Gjatë vitit 2018 ka pasur 5116 procedura konkurruese dhe ka pasur vetëm 531 procedura me negocim pa shpallje. Kjo shifër e fundit zë vetëm 9.4 % të total të procedurave të zhvilluara në të gjithë vitin 2018. Krahasuar me vitin 2017, ka më shumë procedura të hapura dhe shumë më pak procedura me negocim, pa shpallje. Madje kjo është theksuar në mënyrë të drejtpërdrejtë nga progres-raporti i KE, duke cilësuar se ka një rrënie drastike të numrit të procedurave me negocim pa shpallje në vitin 2018, krahasuar me 2017. Konkretisht, kjo vlerë në përqindje ka rënë nga 31.8 % në 2017-ën, në vetëm 9.4 %”, tha Kashta. (shih grafikun nr.1)

Rezultati është edhe më i mirë në katër mujorin e vitit 2019, ku janë zhvilluar vetëm 63 procedura me negocim pa shpallje që zënë vetëm 2.1 % të totalit të procedurave. Pra rënia është akoma edhe më e madhe dhe e konsiderueshme, duke patur më shumë procedura konkurruese. (Grafiku nr.2)

Sipas grafikut të publikuar në studion e ERTV-së, në periudhën Janar-Prill 2019, procedurat konkurruese arritën në 97.28 %, ndërsa procedurat me negocim, pa shpallje, ranë drastikisht, nga 9.4 % që ishte në 2018, në vetëm 2.1 % të totalit të kontratave në katër muajt e parë të 2019-s. (Grafiku nr.1 +nr.2)

Drejtuesja e APP-së shpjegoi se reduktimi i procedurave me negocim, pa shpallje të njoftimit erdhi si rrjedhojë e disa proceseve reformuese të ndërmarra nga agjencia që ajo drejton:

“Në fund të vitit 2017 ndërmorën një sërë masash organizative dhe rregulluese sa i përket llojit të përdorimit të procedurës me negocim pa shpallje, me qëllim minimizimin e përdorimit të kësaj procedure, vetëm në rastet kur parashikohet specifikisht nga ligji prokurimit. U vendos që të hartohej një udhëzim i posacëm nga agjencia e prokurimit publik, duke u rekomanduar autoriteteve kontraktore se cilat janë rastet që duhet dhe mund të përdoret kjo lloj procedure. U vendos për herë të parë në fillim të 2018 që kjo procedurë të zhvillohej në sistemin e prokurimit elektronik, që i jep mundësinë autoriteteve kontraktore që ta zhvillojnë nëpërmjet sistemit elektronik duke ulur mundësitë e abuzimeve dhe rritur mundësinë e kontrollit nga APP. Tashmë procedura me negocim pa shpallje nëse zhvilliohet në sistemin elektronik, gjurmohet në cdo hap të saj dhe ngre përgjegjshmërinë e autoriteve kontraktore kur e përdorin këtë lloj procedure”, deklaroi Kashta.