Qendërmbrojtësi i ekipit kombëtar të Bullgarisë, Christian Dimitrov, beson se ai dhe skuadra e tij e humbën ndeshjen kundër Kosovës pasi që “Dardanët” kishin qenë më të përgatitur fizikisht për atë ndeshje. Kosova triumfoi në Sofje, në stadiumin “Vasil Levski”, me rezultat 3:2 kundër Bullgarisë, në ndeshjen e vlefshme për Grupin A të kualifikimeve në Kampionatin Evropian 2020.

Mbrojtësi Christian Dimitrov u inkuadrua në lojë gjatë pjesës së dytë të ndeshjes dhe ndikoi menjëherë në rezultat me golin e tij. Megjithatë, ai fol nuk mjaftoi pasi që Kosova e ktheu sërish epërsinë, afër fundit të ndeshjes. “Për mua, ata ishin më të përgatitur fizikisht sesa ne dhe në fund kjo gjë ndikoi. Ne luajtëm shumë ndeshje dhe ndienim lodhje. Është e mrekullueshme ta ndiesh këtë gjë. Dua t’i uroj të gjithë bullgarët, por fatkeqësisht ne nuk fituam. Kemi shumë punë për të bërë”, ka thwnw Dimitrov.

Skuadra e Bernard Challandes ishte dominuese për pjesën më të madhe të ndeshjes të së hënës kundër Bullgarisë, e cila u zhvillua në kuadër të Grupit A të kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2020, shkruan Gazeta Express. Kosova kaloi në epërsi qysh pas 14 minutave lojë, përmes Milot Rashicës. Megjithatë, pak para fundit të pjesës së parë, bullgarët u përgjigjën me një gol nga Ivelin Popov. Lojtarët e Bullgarisë e filluan pjesën e dytë dhe kaluan në epërsi pas 10 minutave, përmes Christian Dimitrovit.

Megjithatë, “Dardanët” nuk u dorëzuan përkundër që bullgarët ua kishin përmbysur rezultatin. Puna e tyre u shpërblye në minutën e 64-të të ndeshjes, kur Vedat Muriqi realizoi me kokë, pas një harkimi të mirë nga Benjamin Kololli. Përderisa trajneri Challandes tha pas ndeshjes se ai do të kishte qenë i kënaqur edhe vetëm me një pikë nga kjo ndeshje, djemtë e tij në këtë ndeshje u siguruan që ata t’i marrin të tri pikët në dispozicion, pasi që Elbasan Rashani dhe Milot Rashica kombinuan për ta shënuar golin e fitores në minutën e 92-të të ndeshjes.