Kryetari i Grupit Socialist Taulant Balla kërkon nga Policia e Shtetit që të vijojë me goditje dhe arrestime të tjera pas rastit të djeshëm të operacionit që u finalizua në të njëjtën kohë në Elbasan dhe Tiranë dhe ku u sekuestrua një 1.5 kg kokainë, ndërsa u prangos miku i Emiljano Shullazit dhe anëtarë të grupit Çapja. E ndërsa vlerëson punën e efektivëve, Balla i cilëson të turpshme sulmet nga opozita në drejtim të policisë për rastin e grabitjes në aeroportin e Rinasit.

“Lufta kundër krimit po intensifikohet çdo ditë, me goditje dhe arrestime, duke hyrë në një fazë tjetër kontrollesh dhe reagimesh parandaluese në mënyrë të dedikuar ndaj të gjithë ata që janë një bezdi për komunitetet, ata që kultivojnë apo shpërndajnë lëndë narkotike dhe që kanë plot precedentë të tjerë penalë. Këta soj duhet të jenë përditë nën presionin goditës të Policisë së Shtetit.

Goditja e djeshme e një grupi kriminal me tentakula në disa qytete të Shqipërisë, duhet të vijojë me goditje dhe arrestime të tjera. Sulmet e përsëritura këto ditë për rastin e “Rinasit” ndaj Policisë së Shtetit janë gjëja më e turpshme. Si kurrë më parë, Policia e Shtetit iu përgjigj grabitjes në mënyrë të menjëhershme, duke u vënë në ndjekje të keqbërësve dhe duke eliminuar organizatorin e grabitjes.

Policia e Shtetit u përgjigj edhe pse përballë nuk kishte disa grabitës të zakonshëm, por një grup të strukturuar kriminal, i armatosur deri në dhëmbë, i përbërë nga individë tejet të rrezikshëm që kanë qenë në gjendje të arratisen edhe nga burgje të vendeve të Bashkimit Europian” deklaron Balla.