“Ata që pengojnë Gent Cakaj të bëhet ministër, e duan Shqipërinë dhe Kosovën pa të nesërme, sepse duan ta mbajnë në të shkuarën”. Kështu deklaroi sot në mbrëmje Kryeministri Edi Rama i ftuar në një studio televizive. Rama u shpreh se “ata që nuk e duan këtë djalë për ministër të Jashtëm, janë të lidhur me të shkuarën dhe përdorin të shkuarën për të goditur një djalë që është fytyrë e së ardhmes”.

“A e dëgjuat se çfarë ka thënë Gent Cakaj për kufijtë? Kthehuni edhe njëherë se kush e pengon këtë që të bëhet ministër për Europën dhe Punët e Jashtme. Janë bërë bashkë zuzarë në Tiranë dhe Prishtinë, që t’ju mbushin juve kokën me llum për këtë djalë”, tha Rama. Ata që nuk e duan Gent Cakajn për ministër, sipas Ramës, “e duan Shqipërinë dhe Kosovën pa të nesërme, dhe gjithçka për interesat e tyre”.