Maji është muaji kur tradicionalisht zbarkojnë autobuzët e parë me turistë në qytetin e gurtë. Vitin e kaluar numri i turistëve i kaloi 150 mijë. Këtë vit dukshëm sezoni ka filluar një muaj më herët. Numri i turistëve e vizitorëve pritet të rritet gjithmonë e më shumë. Bashkë me të edhe kërkesa për akomodim dhe shërbime. Kjo ka bërë që të nxiten investimet, veçanërisht në qendrën historike. Ajo mbetet edhe zona preferuar e turistëve për të bujtur. Prej aty kanë akses të shpejtë në monumentet e kulturës si shtëpia e Skëndulatëve apo kulla e Babametove dhe sigurisht për në kalanë hijerëndë.

TIRANË – Pazari i vjetër i Gjirokastrës zgjohet ngadalë nën zhurmën e çekanëve të mjeshtrave që punojnë për rikonstruksionin e shtëpive të vjetra. Shumë shpejt ato do të jenë bujtinat apo hotelet e reja që do të presin turistë nga të gjitha anët e botës. Dielli i këtij mesprilli nuk ka kaluar ende mbi Kullën e Sahatit të kalasë hijerëndë, por aroma e petullave të mëngjesit që të përkëdhel flegrat dhe tymi i oxhakëve të tregojnë se brenda shtëpive të qendrës historike dita ka filluar me kohë.

“Shpresojmë të na mbajë moti. Po mbajti kështu siç është sot është koha e duhur për të hedhur gurët”, thonë Spiro Bezhani ose papu Pilo dhe Drini Gjoni, të dy mjeshtra të kalldrëmit. Maji është muaji kur tradicionalisht zbarkojnë autobuzët e parë me turistë në qytetin e gurtë. Vitin e kaluar numri i turistëve i kaloi 150 mijë. Këtë vit dukshëm sezoni ka filluar një muaj më herët. Promovimi përmes rrjeteve sociale, por edhe përmes medieve të huaja të specializuara në turizëm dhe udhëtime duket se po jep rezultat. Numri i turistëve e vizitorëve pritet të rritet gjithmonë e më shumë. Bashkë me të edhe kërkesa për akomodim dhe shërbime. Kjo ka bërë që të nxiten investimet, veçanërisht në qendrën historike. Ajo mbetet edhe zona preferuar e turistëve për të bujtur. Prej aty kanë akses të shpejtë në monumentet e kulturës si shtëpia e Skëndulatëve apo kulla e Babametove dhe sigurisht për në kalanë hijerëndë.

Nëse shkon sot në Gjirokastër dhe viziton qendrën historike, te Qafa e Pazarit do të gjesh një kantier ndërtimi. Fondi Shqiptar i Zhvillimit po punon për rikualifikimin urban dhe restaurimin e kalldrëmeve në Qafën e Pazarit. Ndërhyrja po kryhet në kuadër të projektit “Për Zhvillimin e Integruar Urban dhe Turizmin” që financohet nga qeveria shqiptare dhe Banka Botërore. Rrjeti inxhinierik nëntokësor po ndërtohet nga e para dhe pas tij do të vazhdojë restaurimi i 6,000 metrave katrorë kalldrëme dhe rehabilitimi i mbi 900 metrave katrorë hapësira publike. Kur i qasesh pazarit nga sheshi i Sheshi i Çerçizit një tabelë në hyrje tregon se investimi në total është rreth 1 milionë Euro.

Pas shqepjes së kalldrëmeve gurët ekzistues që nuk ishin dëmtuar gjatë viteve janë inventarizuar dhe janë magazinuar me kujdes. Kantieri gëlon nga makineritë dhe punëtorët që po punojnë për ndërtimin e linjës së ujësjellësit, sistemit të ndriçimit, rrjetit të telefonisë dhe fibrave optike, kanalizimeve të ujravë të zeza dhe të bardha, kunetave dhe pusetave. “I gjithë rrjeti inxhinierik nëntokësor po ndërtohet nga e para,” – thotë Pavli Miço, inxhinier i Fondit Shqiptar të Zhvillimit që menaxhon kontratën për këtë projekt. Kjo pjesë e qytetit nuk ka pasur asnjëherë një rrjet inxhinierik të mirëfilltë, por tashmë bizneset që po zhvillohen në këtë zonë, turistët dhe vizitorët e shumtë kanë nevoja për shërbime bashkëkohore.

Franco një turist Italian dhe miku i tij anglez kanë mësuar për Gjirokastrën nga rrjetet sociale. “Po përpiqem të bëj një foto të kësaj godine të mrekullueshme, por këto telat ma prishin kuadrin,”thotë Franco duke qeshur teksa përpiqet nga të gjitha këndet dhe pozicionet të godinën që është kthyer në simbolin e Qafës së Pazarit.

Projekti rehabilitimin urban dhe restaurimin e kalldrëmeve në Qafën e Pazarit synon të krijojë një model të ri projekteve zhvillimore në vend. Ai është integruar më së miri me projektin e ndërhyrjeve restauruese në fasadat dhe çatitë e objekteve në këtë zonë. Projekti përfundoi vitin e kaluar dhe u financua nga Fondacioni Shqiptaro – Amerikan për Zhvillim (AADF).

Para dhe gjatë zbatimit të projektit Fondi Shqiptar i Zhvillimit është konsultuar edhe me KfË që ka në plan të financojë ndërtimin e ujësjellësit të Gjirokastrës. “Jemi konsultuar me të gjithë ato institucione që kanë kryer ose planifikojnë ndërhyrje në këtë pjesë të qytetit. Qëllimi ka qenë që ky rrjet që po ndërtojmë sot të përputhet më së miri me çdo projekt tjetër që është gati sot ose që do të planifikohet në të ardhmen,” thotë Miço.

Ideja është e thjeshtë: të shmanget ajo që ka ndodhur rëndom me investimet në infrastrukturën rrugore kur një rrugë e saposhtruar hapet nga sërish për të kryer investimin ujësjellësi, kompania e telefonisë, etj. “Kalldrëmet u hapën që të punohet në të gjitha drejtimet dhe në bashkëpunim me të gjithë aktorët e mundshëm, në mënyrë që kur të shtrohen të mos hapen sërish,” thekson Miço.

Deri në shkurt dëbora dhe ngrica e bënin të pamundur progresin e punimeve në kantier. “Por që prej fundit të shkurtit kemi avancuar shumë shpejt. E gjithë fuqia punëtore dhe inxhinierike për momentin është përqëndruar në mbylljen e punimeve për rrjetin inxhinierik nëntokësor që më pas të vijojmë me shtrimin e kalldrëmeve,” thotë Miço. Ai shton se presioni nga bizneset dhe banorët për të avancuar me punën është i madh dhe i kuptueshëm. “Përveçse një zonë historike, Pazari i Vjetër është shndërruar edhe në një qendër biznesesh e shërbimesh dhe janë burim të ardhurash për shumë banorë. Nga ana tjetër gjirokastritët e duan Pazarin e Vjetër siç ishte. Ne po punojmë t’i realizojmë jo vetëm në kohë, por mbi të gjitha me cilësi.”