Gazetarja, Klodiana Lala ka treguar për News 24 si ndodhi grabitja e 10 milionë eurove në Rinas.
“Grabitja ka ndodhur brenda Aeroportit të Rinasit. Në kohën që disa kompani të sigurimit të transportit kanë dorëzuar paratë, grabitësit kanë hyrë në avionin me pasagjerë dhe kanë marrë paratë. Paratë u morën nga barku i avionit. Në avion kanë qenë 160 pasagjerë, të cilët do të shkonin në Vjenë. Grabitësit kanë përdorur një furgon ku shkruhej ‘Hetimi tatimor’. Grabitësit të maskuar dhe me kallashnikovë kanë marrë paratë. Grabitësit kanë marrë paratë, pasi kanë drejtuar armët te punonjësit e sigurisë, e këta të fundit janë ulur në tokë. Furgoni ishte pa targa. Policia ka hyrë më vonë në avion. Policia ka pyetur pasagjerët nëse kishin pamje filmike. Gjatë daljes, grabitësit kanë shkëmbyer zjarr me policinë. Njëri prej grabitësve ka mbetur i vdekur. Trupi i pajetë i njërit prej grabitësve u gjet te Ura e Brarit, ndërsa një mjet i dytë u gjet i djegur pranë Kamzës. FNSH dhe të gjitha forcat janë në gatishmëri, madje edhe helikopterë. Janë duke u marrë shenjat e gishtave të personit që u gjet i vdekur, për të parë nëse ka apo jo precedent penal dhe janë duke marrë informacion për lidhjet e tij shoqërore e familjare. Vetëm kështu mund të zbulohen grabitësit, e grabitjes më të madhe të ndodhur ndonjëherë në vend.”,– tha Lala.