Alteo Hysi, gazetari që shohim të shfaqet në kanalin në facebook të Kryeministrit Edi Rama duke intervistuar figurat e qeverisë, ka folur për herë të parë për këtë eksperiencë.

Gjatë një interviste për portalin dritare.net të Rudina Xhungës, Hysi është pyetur edhe mbi etiketimet që i bëjnë si “gazetari i Ramës” dhe nëse është problem për të që e identifikojnë si të njëanshëm.

Gazetarja Fjorda Lllukmani : Çfarë mendon kur të etiketojnë si “gazetari i Ramës”? Mendon që etiketime të tilla e kufizojnë profilin tënd, në kuptimin e njëanshmërisë? Të bezdis kjo?

Hysi : As nuk më bezdis, as nuk mendoj se më kufizon në ndonjë aspekt. Të jesh gazetari i Ramës, i cili meqë ra fjala, vetëm vlera ka promovuar në një sistem politik të mbingopur për vite të tëra me antivlera, nuk është as mëkat, as sakrificë. Për mua është bashkim me një grup njerëzish që besojnë te këmbëngulja e tij për ta bërë Shqipërinë. Dhe unë dua me zemër që ky vend të bëhet, me çdo kusht!

Hysi ka shtuar më tej se “me politikbërjen e tij, Rama ka kontribuar në transformimin e mjedisit politik shqiptar duke hedhur themelet për një kulturë të re politike, politikës së punës, në vend të politikës parazitare, të ushqyer nga balta e nihilizmi”.

“Nëse bashkë tani do të numëronim me gishtat e dorës se çfarë kanë bërë për Shqipërinë në kaq shumë vite figurat kryesore të politikës, besoj që ai është i vetmi që ka bërë në pak vite si Kryeministër, më shumë se sa kanë bërë gjithë të tjerët në 20 vite. Në vetvete, injektimi i politikës së punës, në një mjedis të politikës parazitare, e ushqyer nga balta dhe nihilizmi, e transformon edhe vetë sistemin politik, përveçse sjell fryte në shërbim të qytetarëve. E kjo sepse vendos një standard të ri, që të tjerët më pas do duhet ta ndjekin, atë të politikës si zgjidhje, si instrument ndryshimi. Ky standard i ri sjell edhe raport të ri me qytetarët, që nisin t’i vlerësojnë e zgjedhin politikanët jo më prej ndikimit të tarafeve që ata kanë pas vetes, por për sa kanë bërë realisht për Shqipërinë.

Besoj që ky ishte leksioni që mori politika shqiptare në zgjedhjet e fundit elektorale, u vlerësua masivisht se kush ka bërë çfarë për Shqipërinë. Edi ka hedhur themelet e një kulture të re politik”, tha Hysi.

Gjatë intervistës, Hysi iu përgjigj edhe pyetjes nëse e gjen veten realisht si gazetar në intervistat që bën, në facebookun e një politikani?

“Mendoj që ka një dallim të madh midis dy koncepteve që lidhen me të bërit gazetari, pavarësisë dhe lirisë së gazetarit, që janë dy gjëra krejt të ndryshme. Unë kam zgjedhur të jem jo i pavarur, pra të punoj me një krah të caktuar, por duke mbrojtur vlerën e lirisë. Çfarë do të thotë se nuk do të doja kurrë të thoja gjëra që nuk i besoj vetë së pari. Pavarësisht zgjedhjes sime, ndihem mirë sepse bëj dhe them gjëra në të cilat besoj fort, pa prishur raportet me të vërtetën”, tha ai.